E martë, 12 Nëntor 2013
SHBA-të dhe Rusia nuk kanë arritur të bien dakord për datën e mbajtjes së konferencës së paqes për Sirinë. Pika e debatueshme ka qenë roli që mund të luajë Irani për t’i dhënë fund luftës civile dhe kush do të përfaqësojë opozitën siriane.
“Shpresonim që sot të jepnim një datë, por për fat të keq nuk mundemi”, tha i dërguari i Ligës Arabe dhe OKB-së, Lakhadar Brahimi.
Ai tha se do të takohej me zyrtarët rus dhe amerikan sërish më 25 nëntor, duke shpresuar që opozita siriane ndërkohë të ketë rënë dakord për përfaqësuesit e saj në takim.
Ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Samantha Power, u shpreh “skeptike” lidhur me deklaratën e Organizatës e Ndalimit të Armëve Kimike. “Mbetet ende punë për t’u bërë që të sigurohemi që lista që ka dorëzuar qeveria siriane është gjithëpërfshirëse dhe procesi mbetet në rrugën e duhur, tani do të hyjmë në procesin e shkatërrimit”, tha Power.
Siria ka deklaruar se në depot e saj ka rreth 1000 tonë armë kimike, shumica në gjendje të papërpunuar. SHBA-të kanë dyshime se Siria po përpiqet të mbajë disa armë “rezervë” duke mos i deklaruar.