Shmangni gjuhën nxitëse kundër Gjykatës Speciale


E mërkurë, 16 Janar 2019

PRISHTINË – Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë mbështetje të plotë punës së Gjykatës Speciale, pavarësisht se kush mund të jetë i akuzuar.

Një zyrtar i lartë i Qeverisë Amerikane i cili ka preferuar të mos i zbulohet emri, i ka thënë Gazetës Online Insajderi, se Gjykata Speciale nuk ndikohet nga zhvillimet politike apo faktorë tjerë të jashtëm.

“Pozicioni i Shteteve të Bashkuara lidhur me Gjykatën Speciale nuk ka ndryshuar: ne mbështesim punën dhe mandatin e Gjykatës dhe nxisim bashkëpunim të plotë me udhëzimet e saj”, ka thënë ky zyrtar i lartë.

Ai ka thënë se nuk ka ide se ndaj kujt dhe kur do të ngritën aktakuzat, por sipas tij, Gjykata Speciale është duke punuar në mënyrë të pavarur për të sjellë drejtësi për viktimat.

“Gjykata Speciale nuk ndikohet nga zhvillimet politike apo faktorëve tjerë të jashtëm. Nuk kam ide se ndaj kujt dhe kur do të ngitet padija por e di që Gjykata është duke punuar me zell dhe në mënyrë të pavarur për të sjellë drejtësi viktimave”, ka thënë ai.

Ky zyrtar ka mirëpritur bashkëpunimin e të dyshuarve me drejtësinë ndërkombëtare.

“Isha i inkurajuar kur pashë se disa individë tashmë kanë pranuar ftesa për të folur me Gjykatën. Çdokush që ftohet nga Gjykata Speciale për të shkuar në Hagë duhet ta bëjë këtë, pavarësisht nga pozita që mbajnë, përkatësia politike apo statusi shoqëror”, ka thënë zyrtari amerikan.

Ai u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë kosovarë që të shmangin retorikën nxitëse kundër Gjykatës.

“Përgjigja e udhëheqësve kosovarë ndaj veprimeve të Gjykatës Speciale do ta përcaktojë ndikimin e Gjykatës mbi stabilitetin në Kosovë. Udhëheqësit duhet shmangur retorikën nxitëse dhe duhet shpjeguar qytetarëve pse proces është jetik për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës”, ka thënë përfaqësuesi i SHBA-së.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka nisur zyrtarisht punën në selinë e saj në Hagë të hënën, kur intervistoi ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafën – Remin. Ish-udhëheqësi i luftës në Zonën Operative të Llapit u intervistua për mbi 14 orë gjatë të hënës dhe të martës.

Pas përfundimit të intervistimit të martën, Mustafa deklaroi se ishte i intervistuar si “dëshmitar i dyshuar”.

“Isha i ftuar si dëshmitar i dyshuar. Ka qenë intervistë e gjatë, sot përpunoi. Pyetjet ishin shumë serioz dhe unë isha shumë serioz”, u shpreh Mustafa, në një prononcim për media pas përfundimit të intervistimit të tij në selinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ndërkaq, të mërkurën (sot) në Hagë ka nisur intervistimi i ish-komandantit të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.

Lushtaku, para se të nisej për në Hagë, kishte thënë se nuk e di se në çfarë cilësie është ftuar për intervistim.

Gjykata do të veprojë në Hagë, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë. Krijimi i saj ka pasuar publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës.

Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Në fund të vitit 2017, pas një peticioni me 15 mijë nënshkrime, një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka ndërmarrë nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Pas disa javësh presion politik nga bashkësia ndërkombëtare, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë thënë se gjykata nuk do të shfuqizohet.

Etiketa: , , ,
Të fundit