Shpërngulja, ngjarja që ndërroi rrjedhat e historisë së Islamit


E diel, 29 Qershor 2025

Prof. Ekrem Maqedonci

Nëse ju nuk e ndihmoni (Muhamedin a.s.), atë e ka ndihmuar Allahu, pikërisht atëherë kur pabesimtarët e detyruan të emigronte vetë të dytin (me Ebu Bekrin), kur ata ishin në shpellë dhe (Muhamedi a.s.) i thoshte shokut të vetë (Ebu Bekrit r.a.): “Mos u pikëllo (friko) se vërtetë Allahu është me ne…” (Et-Tevbe, 40)
Ardhja e Muhamedit a.s. ishte në momentet më kritike, në kohërat më të vështira, në kulminacionin e devijimit të njerëzimit, atëherë kur njerëzia kishin lajthitur larg nga e vërteta, sepse kishte kaluar një kohë e gjatë nga misioni i Isait a.s, deri te misioni i Muhamedit a.s. Kjo periudhë kohore në historinë islame njihej si koha e injorancës dhe padrejtësive të mëdha. Ajo ishte koha kur i forti e dëmtonte të ligun, pasaniku e shtypte të varfrin, kur kryheshin gjakderdhje e krime duke u thirrur në emër të traditave dhe kabileve të tyre, ishte kjo kohë kur njerëzit e adhuronin gurin, zjarrin, idhujt, dhe sendet e kota.
Në këtë kohë, Muhamedi a.s. filloi misionin e tij, orvatej në çdo mënyrë për t’i orientuar njerëzit kah e vërteta, mirëpo nuk ishte lehtë për ta ndryshuar këtë gjendje të njerëzimit, për ti dhënë fund epokës se besimeve të kota, epokës së injorancës dhe mosdijes, për ta filluar një faqe të re dhe të pastër në historinë e njerëzimit në përgjithësi dhe të muslimanëve në veçanti.
Ishin Kurejshitët të parët ata të cilët u munduan në çfarë do mënyre ti shtypin udhëzimet e tij. Ata provuan që ta bindin Muhamedin a.s. të tërhiqet nga thirrja e tij në Islam. I ofruan atij oferta të ndryshme, të udhëheqjes, pasurisë, martesës etj., vetëm e vetëm që Muhamedi a.s. ta ndryshonte qëndrimin e tij përball besimeve idhujtare dhe zakoneve injorante që mbizotëronin në atë kohë. Muhamedi a.s. ishte i vendosur ne misionin e tij, sepse qëllimi i tij nuk ishte që ai të arrinte te ndonjë post politik, ekonomik, social apo ndonjë dobi të kësaj dynjaje çfarë do qoftë ajo.
Në vazhdën e përpjekjeve të Muhamedit a.s. për ta ndryshuar këtë gjendje të mjerueshme, ishte edhe vetë Hixhreti, ku të gjithë historianët islam e konsideruan si hapin më të suksesshëm të Muhamedit a.s. në atë kohë, si ngjarjen e cila ndërroi rrjedhat e historisë së Islamit. Pas hixhretit muslimanët fitojnë të drejtat e tyre, tejkalo jnë etapën e injorancës dhe robërisë. Tani e tutje, do jenë njerëz të dijes dhe punës, zbulues të shumë shkencave njerëzore, udhëheqës të botës për një kohë të gjatë. Kjo ndodhi e rëndësishme pas vete la shumë mësime, urtësi e leksione, që njerëzia do përfitojnë nga to deri në ditën e gjykimit.

Leksione nga shpërngulja e Muhamedit a.s.

Ndër leksionet, urtësitë, mësimet, më të rëndësishme të ndodhisë së hixhretit, dijetarët islam theksuan:
1- Para hixhretit Pejgamberi a.s. ishte i orientuar ne formimin e personaliteteve, bashkëpunonte me disa persona të caktuar, pa ndonjë organizim të mirëfilltë. Ndër sa pas shpërnguljes në Medine orientohet në formimin dhe themelimin e shoqërisë dhe shtetit. Pikërisht pas kësaj ndodhie muslimanët filluan formimin e ushtrisë dhe përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike, sociale dhe shoqërore.
2- Bashkimi i muslimanëve në një vend të posaçëm ku të gjithë do jenë të lirë në lëvizjet e tyre, ishte një nga dobitë kryesore të hixhretit. Tani ata do kenë mundësinë e bashkëpunimit, mësimit dhe praktikimit të islamit në mënyrën më të mirë, pa ndonjë pengesë apo rrezik nga pabesimtarët e asaj kohe.
3- Zbulimi i fytyrave të mynafikëve në Medine ishte dobi e madhe për muslimanët, sepse kuptuan armiqtë e brendshëm të tyre. Në Mekë mushrikët ishin ata të cilët f lisnin dhe bënin thirrje kundër Muhamedit a.s. dhe pa suesve të tij, ishin ata të cilët bartnin bajrakun në luftën e tyre kundër besimtarëve, kjo gjë u mundësonte mynafikëve që të fshiheshin pas veprimeve të tyre dhe të jenë të pa ditur për Muhamedin a.s. Ndërsa në Medine pas progresit dhe të arriturave të muslimanëve, mllefi i munafikëve në krye me Abdullah bin Ubej bin Selul filloi të shfaqet haptazi.(1) Muhamedi a.s. me sahabët e tij kuptuan armiqtë e brendshëm dhe filluan të kenë kujdes ndaj tyre.
4- Hixhreti është një ndodhi e madhe historike që na mëson neve se rezultatet arrihen vetëm me punë.(2) Muhamedi a.s. kur la vendin më të shtrenjtë të tij, la vendlindjen e tij, ndihej i persekutuar dhe mërzitur. Në ato momente Zoti i Madhërishëm iu drejtua me një ajet Kuranor: “Më të vërtetë ai i cili ta zbriti ty Kuranin, prapë do të kthej ty në vendlindje (Meke)” (El Kasas,85). Disa nga komentatorët e Kuranit mendojnë se, ky ajet ka qenë premtim i drejtpërdrejt për Pejgamberin a.s. se ai do të kthehet në Meke, mirëpo ai me gjithë premtimin që kishte, nuk qëndroi duarkryq në Medine, organizoi sahabët, formoi ushtrinë, bëri marrëveshje dhe luftëra, derisa erdhi si çlirimtar i Mekës së bekuar, e tëra kjo për të na mësuar neve se me punë arrihen suksese të mëdha.
5- Me ndodhinë e hixhretit Muhamedi a.s. na mësoi neve se, besimtari me imanin (besimin) dhe durimin të tij, mund të tejkalojmë edhe sprovat më të rënda të kësaj dynjaje. Na tregoi neve se besimtari nuk gux on të gjunjëzohet lehtë para problemeve, telasheve dhe armiqve të kësaj dynjaje.(3) Na tregoi se përgatitja imanore, shpirtërore, dhe morale luan rol shumë të rëndësishëm në jetën e njeriut përball barrierave dhe problemeve njerëzore.
6- Në realizimin e projektit të hixhretit ishin angazhuar disa të rinjë, në mesin e tyre vetë Aliu r.a. dhe fëmijët e Ebu Bekrit r.a. Prandaj, ishte një indikacion se rinia Islame mund të jetë faktor pozitiv në shoqëri, dhe duhet të kontribuoj në realizimin e shumë projekteve të muslimanëve.(4)
7- Prijësi i besimtarëve duhet të jetë shumë i kujdesshëm për besimtarët dhe popullin e vetë. Pejgamberi a.s. nuk bëri shpërnguljen nga Meka derisa të gjithë besimtarët u shpërngulen dhe u larguan nga Meka, derisa siguroi besimtarët nga ndonjë rrezik i mundshëm nga mushrikët. Ai (dhe një numër i vogël i Sahabëve)(5) ishin të fundit që morën rrugën e hixhretit.(6)
8- Zgjedhja e Medinës si qendër të Muslimanëve tre gon për strategjinë dhe largpamësinë e Pejgamberit a.s. Pozita gjeografike e Medinës ishte e përshtatshme për tu vetëmbrojtur nga çdo sulm i mundshëm i armikut. Prandaj është një mësim për çdo prijës ushtarak që të mundohet të gjej pozita gjeografike të përshtatshme për ushtrinë dhe luftëtarët e tij.(7)
9- Dobi tjetër që ndërlidhet me zgjedhjen e Medinës si qendër për muslimanët, është edhe dobësimi i armi kut (kurejshitëve) në aspektin ekonomik. Kurejshitët në atë kohë tregtinë e tyre me Sham (Sirinë e sotme), e bënin duke ndjekur rrugën Meke-Medine-Sham. Pas hixhretit tregtia dhe gjendja e tyre ekonomike ishte në rënie e sipër. Tregtarët nuk ndiheshin të sigurt në rrugën e tyre drejt Medinës, sidomos kur ishin të vetëdijshëm për persekutimet dhe padrejtësitë që ua kishin bërë besimtarëve.
10- Dashuria dhe respekti i madh që kishin banorët e Medines (Ensarët) për Muhamedin a.s dhe muhaxherët, është një prej indikacioneve të mëdha se, muslimanët duhet të jenë human dhe të ndihmojnë emigrantët e larguar nga shtëpitë e tyre në raste luftërash apo krizash. Ensarët me zemërgjersi të madhe hapen dyert e tyre për Muhamedin a.s. dhe të gjithë ata që kishin emigruar me të, me bujarin e tyre i ushqyen ata për një kohë të gjatë, dhe ishin të gëzuar dhe krenar me humanitetin e tyre. Transmeton Imam Buhariu nga El-berra bin Azib të ketë thënë: “Nuk i kam parë Medinasit asnjëherë më të gëzuar se sa ditën që pritën Muhamedin a.s. (d.m.th. kur ai bëri hixhretin)”.(8)
Në fund mund të themi se, jeta, fjala dhe vepra e as një njeriu në këtë rruzull tokësor nuk ka reflektuar e shndritur sa ajo e profetit Muhamed a.s.. Tërë jeta e tij ishte e stërmbushur me urtësi, mësime dhe porosi. Këtë na e tregon edhe vetë Zoti i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë kur thotë: “Më të vërtetë ju shembull për jetën tuaj keni Muhamedin a.s” (El Ahzab, 21). Ibn Kethiri për këtë ajet shprehet se është ajeti bazë i cili iu tregon muslimanëve se ata duhet të përfitojnë nga fjalët, veprat dhe ndodhitë e jetës së tij në përgjithësi, dhe të mundohen ta pasojnë atë në çdo gjë që është e mundur.(9)
Edhe dijetarët tjerë theksojnë se, shpërngulja e Muhamedit a.s. prej Mekës në Medine, vuajtjet e përjetuara për ta udhëzuar këtë ymet në rrugën e duhur, urtësitë e konkluduara nga kjo ndodhi, motivojnë muslimanët për të shtuar dashurin, respektin, dhe vlerësimin e tyre për vulën e profetëve, shëmbëlltyrën më të bukur të njerëzimit.

________________
1) “Fi -t-terih el-islamij” f. 49-50, Dr. Shevki Ebu Halil.
2) “Es-siretu-nebevije” (1-42) Dr. Mehdi Rizkullah Ahmed.
3) “Fikhu-siretu -nebevije” f.193-207, Prof. Dr. Muhamed Seid Ramadan el-Buti.
4) “Es-siretu-nebevije” (1-42) Dr. Mehdi Rizkullah Ahmed.
5) Nuk kishte mbetur në Mekë përveç Ebu Bekrit, Aliut, dhe një numër i vogël i besimtarëve që ishin penguar nga Mushrikët për ta bërë hixhretin.
6) “Min mein es-sireti”, f. 162, Salih Ahmed Esh-shemi.
7) “Siretu-nebevije” (1-443,444) Dr. Alij Muhamed Es-salabi.
8) “Sahihul Buhari” nr. 3925.
9) “Tefsirul-Kuranil-Adhim” (4-211) Ibn Kethir.

Dituria Islame 290

Prof. Ekrem Maqedonci

Të fundit