E enjte, 31 Mars 2016
Tiranë – Ministrat Gjiknuri dhe Stavileci firmosën një deklaratë të përbashkët në të cilën marrin një sërë angazhimesh në kuadër të nismës për ndërtimin e një tregu të përbashkët elektro-energjitik.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë të Shqipërisë, Damian Gjiknuri priti sot në takim një delegacion nga Republika e Kosovës kryesuar prej ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci. Ministrat Gjiknuri dhe Stavileci firmosën një deklaratë të përbashkët në të cilën marrin një sërë angazhimesh në kuadër të nismës për ndërtimin e një tregu të përbashkët elektro-energjitik, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratë thuhet se Shqipëria është duke zhvilluar Bursën Shqiptare të energjisë elektrike (APE) të tregut “të ditës në avancë” , e cila paraqet edhe fazën e parë të zhvillimit të tregut. Bursa e energjisë, sipas Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë do të mundësojë çmime transparente në tregun e “ditës në avancë” që do të inkurajojë pjesëmarrjen në tregtimin e energjisë elektrike në të dy vendet, Shqipëri dhe Kosovë.
Pas takimeve mes dy ministrave dhe mes delegacioneve, Gjiknuri dhe Stavileci mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.
“Do të synojmë bërjen e studimeve të fizibilitetit për krijimin e kapaciteteve të përbashkëta të prodhimit të energjisë elektrike. Do të thotë që në kuadrin e një tregu të përbashkët, kemi mundësi që Shqipëria edhe Kosova të investojnë në ndonjë termocentral të përbashkët, kuptohet brenda këtyre politikave të harmonizuara të një tregu të përbashkët. Unë them se kjo është një mundësi e mirë për të harmonizuar burimet që ka Kosova dhe burimet që ka Shqipëria, pra hidron tonë dhe linjitin e Kosovës”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Nga ana tjetër, ai tha se së bashku me Kosovën është aplikuar në Bashkimin Evropian për financim për studimin e fizibilitetit për gazsjellësin Shqipëri-Kosovë, pra që do të jetë një zgjatim i TAP-it.
Ministri Stavileci deklaroi se ka angazhime që për nga qëllimi janë të njëjta sepse na janë për në të njëjtin drejtim. “Duhet t’iu hapim rrugë projekteve dhe aktiviteteve të reja që shkojnë në dy drejtime kryesore: së pari, që ti konsolidojmë sistemet brenda, tregun e Shqipërisë dhe atë të Kosovës; në anën tjetër, tek kjo rruga e një tregu të përbashkët, i cili po ashtu do të sjellë shumë avantazhe për të dyja shtetet”, theksoi Stavileci.