Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Shqipëria dhe Kroacia turpërojnë Jeremicin

Prizren Post | 21:04 - 15.06.2013

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka zgjedhur unanimisht përfaqësuesin e Antiguas dhe Barbadosit, John Ashe, për kryetar të ri të këtij institucioni të OKB-së, në vend të serbit, Vuk Jeremic.

Gjatë zgjedhjes së kryetarit të ri nuk i është dhënë mirënjohje paraardhësit të tij, Jeremic, sepse Shqipëria dhe Kroacia kanë ushtruar veto ndaj përmbajtjes së letrës lavdëruese.

Zgjedhja e Ashe për kryetar të Asamblesë është përshëndetur nga sekretari i përgjithshëm, Ban Ki-moon, dhe nga pesë grupet rajonale të Asamblesë së Përgjithshme, përveç nga ai i Europës, Juglindore, sepse letra përshëndetëse e tij është bllokuar nga Shqipëria dhe Kroacia, për shkak të lëvdatave për kryetarin e deritanishëm Vuk Jeremic.

Ndryshe, për dallim nga viti e kaluar, kur zgjedhja e kryetarit të Asamblesë është bërë me votim të fshehtë, meqë grupi i Europës Juglindore nuk arriti një konsensus për kandidatin e vet, sivjet njeriu i parë i Asamblesë së 68’të u zgjodh me konsensus, si kandidati i vetëm i grupit, transmeton Express.

Sipas letrës përshëndetëse, që u formulua nga Mali i Zi, si vend që këtë muaj kryeson me grupin e Europës Juglindore,ishte paraparë që, në përputhje me praktikën diplomatike, të përshëndetej kryetari i ri, dhe t’i jepej një mirënjohje të vjetrit, por kjo gjë nuk ndodhi, sepse Shqipëria dhe Kroacia ushtruan veto në përmbajtjen e letrës.

Në letrën e përgatitur nga ambasadori malazez, në OKB, Milorad Scepanovic, mes tjerash, thuhet se, Grupi i Europës juglindore uron Jeremicin për udhëheqjen “dinamike dhe aktive” të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe për “promovimin e vlerave të OKB-së” për të mirën e gjithë njerëzimit.

“Deklaratat e përfaqësuesve të grupeve, të lëshuara në emër të OKB-së, flasin mjaft, dhe nëse nga 193 shtete të planetit vetëm dy nuk janë të kënaqura me përfaqësimin tonë, atëherë mua më duket se kemi punuar mirë – veçanërisht, duke pasur parasysh se cilat janë këto dy shtete”, deklaroi Jeremic për mediat serbe, lidhur me reagimin e Shqipërisë dhe Kroacisë.


Arivisti Company