E mërkurë, 12 Qershor 2013
Rreth dy vjet e gjysmë që kur nisi të aplikohet për qytetarët e Shqipërisë regjimi i lëvizjes pa viza për në zonën Schengen të BE-së procesi është i rrezikuar. Për Komisionin Europian janë shqetësuese raportimet nga vendet europiane që flasin për rritje të kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarë.
Sipas burimeve të Komisionit në një kohë që trendi i kërkesave për azil nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia është në rënie, për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën kërkesat janë në rritje. Konkretisht për Shqipërinë shtesa e kërkesave për azil shkon në kuotën 74 përqind. Të lokalizuara si shtete “atraktive” për azilkërkuesit nga Shqipëria janë Gjermania, Suedia, Belgjika, Zvicra dhe Luksemburgu.
Sipas DW, kjo ka rikthyer shqetësimet e autoriteteve zyrtare në Tiranë se mos fluksi në rritje i atyre që thyejnë kushtet e regjimit të lëvizjes pa viza do të detyrojë Brukselin për masa të përkohshme ndëshkuese, duke rikthyer kushtet e udhëtimit për qytetarët vetëm pasi ata të jenë pajisur me viza nga zyrat konsullore të selive diplomatike të këtyre shteteve. Për ekspertët kjo situatë do të ketë ndikim të drejtëpërdrejtë dhe në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Romët dhe ata që janë përfshirë në gjakmarrje përbëjnë numrin më madh të azilkërkuesve. Më shumë kërkesa ka në Gjarmani, Suedi, Belgjikë, Zvicër e Luksemburg, por dhe vende jashtë Schengenit.
Etiketa: azil kerkuesit, Shqipëria