Shqipëria tregoi se është gati për EURO 2016


E diel, 29 Maj 2016

alb

Kombëtarja e Shqipërisë e ka mposhtur me lehtësi Katarin (3-1) në ndeshjen miqësore që i shërben si parapërgatitje për ‘Euro 2016’.

Edhe pse askush nuk e kishte pritur, të parët shënuan lojtarët e Katarit. Abdulkarim Hassan Fadlalla befasoi duke realizuar që në minutën e parë. Goli erdhi pas një ndërprerjeje që u pasua me gjuajtje të lirë dhe nga harkimi i Tabatas u ndëshkuan kuqezinjtë.

Mirëpo, pas një dominimi të vazhdueshëm, Shqipëria arriti të barazojë. Pas një harkimi nga këndi, Arlind Ajeti reagoi për mrekulli për të realizuar (23’). Ky ishte goli i tij i parë me fanellën e Kombëtares kuqezi.

Pas një paraqitjeje shumë të mirë në këtë ndeshje, Ermir Lenjani u shndërrua në protagonist (40’). Anësori shqiptar reagoi për mrekulli në zonë duke e kontrolluar mirë topin, u rrotullua dhe shënoi. Dhe pas fillimit jo të mirë, Shqipëria e mbylli pjesën e parë me epërsi.

Në vazhdim, Kombëtarja Kuqezi shënoi edhe golin e tretë. Protagonist i këtij goli të bukur ishte Armando Sadiku, i cili realizoi në minutën e 64. Ai pranoi një top nga Lorik Cana dhe goditi me të djathtën nga jashtë zonës, ndërsa topi u ndal në rrjet.

Padyshim se kjo fitore u shërben lojtarëve për të ngritur vetëbesimin para Kampionatit Evropian, ndërkohë që trajneri Gianni de Biasi ka një pasqyrë se ku duhet intervenuar për përmirësimin e skuadrës, në mënyrë që të rezultojë sa më e suksesshme në Francë.

Të fundit