E martë, 8 Prill 2014
New York, 8 prill – Demonstrata për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi ka zgjuar interesim të madh tek shqiptarët e Amerikës. Qindra vetë kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe janë nisur drejt Washington D.C. ku do të mbahet takimi Gjukanovic-Biden.
Kësaj radhe shqiptarët e Amerikës janë nisur për të demonstruar kundër liderit malazez Milo Gjukanovic.
Të pakënaqur me shtypjen që po u bëhet shqiptarëve në trojet etnike në Mal të Zi ku mungojnë të drejtat elementare, do të demonstrohet para Shtëpisë së Bardhë në Washington D.C. ku do të kërkohet që të mos i jepet përkrahje Malit të Zi në integrimin Evropian.
Shumica e shqiptarëve të Amerikës janë me prejardhje nga trojet etnike shqiptare të Mal të Zi të cilët kanë rënë pre e spastrimit etnik që qeveritë malazeze kanë bërë për dekada me radhë.
Gjukanovic po luan lojën e dyfishtë në njërën anë po krijon miqësi personale me liderët politik në pozitë dhe opozitë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, derisa në të njëjtën kohë po vazhdon shtypjen e shqiptarëve në trojet etnike në Mal të Zi, transmeton KP.
Kjo demonstratë konsiderohet si një ndër më të organizuarat pas luftërave në Kosovë dhe Maqedoni dhe jep shenjë se Mali i Zi do të kundërshtohet me çdo mjet për shkak të politikës diskriminuese që po ushtron mbi shqiptarët./Prizren Post/
Etiketa: Amerikë, Mali i Zi, Shqiptarët