Shqiptarët e Malit të Zi kërkojnë nga Kosova mbrojtje


E martë, 16 Shtator 2014

Shqiptarët me banim brenda territorit të Malit e Zi ankohen për shkelje të të drejtave si popull autokton. Ata kërkojnë nga përfaqësuesit e diplomacisë së Kosovës të mbrojnë interesat e tyre.

Pozita e shqiptarëve në Mal të Zi aktualisht është e rëndë dhe e pa perspektivë. Ata kanë një shkollim gjysmak dhe një ekonomi e cila nuk sjell mundësi ekzistence. Ndërsa pavarësimi i mundësuar me votën e shqiptarëve me referendumin e vitit 2006, solli vetëm dregradimin e komunitetit shqiptar brënda këtij shteti i cili nuk i njeh shqiptarët si popull konstituiv por si një grup etnik, thotë Naim Prelvukaj, veprimtar i çështjes kombëtare nga Plava e Gucia.

“Faktori shqiptar si popull autokton nën administrimin e Malit të Zi,përdite e më shumë po pëson një degradence duke mos gëzuar të drejtat e tija themelore të garantuara sipas konventave ndërkombëtare tek popujt autokton nën administrime të huaja. Ata përbëjnë shumicën territoriale, por jo edhe shumicën e banorëve, gjë që shkakton emigrimin e shqiptareve duke i lene hapesirat e vednbanimet e boshatisura”, thotë Prelvukaj, sipas të cilit baraspesha reciproke në mes të malazezve në Kosove dhe shqiptarëve të administruar nga Mali i Zi do të ishte një e padrejtë e natyrshme.

“Sepse, malazezët në Kosovë janë bijë të kolonëve përderisa shqiptarët në Malin e Zi janë popull autokton. Pra, në asnjë mënyrë përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare të Kosovës nuk duhet ta vënë këtë në baraspeshë, por të merren me origjinalitetin e fakteve që gjenden në terren. Shqiptarët që administrohen nga Mali i Zi janë nje histori krejt ndryshe nga malazezët që jetojnë në Kosovë”, thotë Prelvukaj.

Akademiku i shquar malazez, Jevrem Bërkovic, i cili njihet si themelues i shtetit malazez dhe mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve, thotë për RTK-në se, “Me 1992 kam ngritur zërin në Këshillin e Evropës për të drejtat e shqiptarëve, të boshnjakeve dhe të malazezve si popuj të cilët po keqtrajtoheshin nga regjimi i Millosheviqit. Për shkak të mbrojtjes së kësaj të drejte unë edhe kam emigruar, sepse mendoj se është detyre e shkrimtarit që të luftoj, e mbi të gjitha, të përforcojmë lidhjet ndërmjet sepse brenda të gjithë neve rrjedh gjak ilir”.

Por, edhepse sot, respektimi i të drejtave të komunitetit shqiptar në shtetin e pavarur të Malit të Zi lë për të dëshiruar, Berkovic beson se ideologjia e tij po përqafohet gjithnjë e më shumë nga brezi i ri në Mal të Zi. Sepse, “në të gjithë jemi dukljanë dhe dukleanja po prin në Mal të Zi sepse jemi ne rritje. Ndërsa, po vjen një brez të rinjsh të cilët janë të vetëdijshëm se çfarë kam bërë dhe kah i kam udhëhequr”.

Sido që të jete, hapja e ambasadës së Kosovës në Mal të Zi do të jetë një adresë për komunitetin shqiptar të cilit diplomacia e Kosovës do t’i qëndrojë pranë, thotë për RTK-në Blerim Xhemajli, zëvendësshef i ambasadës së Kosovës në Podgoricë, sipas të cilit, gjatë muajit pritet hapja zyrtare e ambasadës.

“Padyshim që ky do të jetë një rast i mirë për popullatën shqiptare në Mal të Zi, të cilët do të kenë një adresë të caktuar. Ne do të vizitojmë njerëzit tanë, do t’iu qëndrojmë pranë dhe si staf, do të mundohemi të lehtësojmë marrëdhëniet e popullit të Kosovës dhe Malit të Zi. Dhe natyrisht, duhet t’i dedikohemi me shumë kultures gjithëshqiptare, sidomos kulturës së shtetit të Kosovës nëpërmjet vizitave të ndërsjella të Kosovë-mal i Zi”, thotë Xhemajli, i cili përveç mbështetjes së aktiviteteve kulturore, premton një përkushtim më të madh ndaj komunitetit shqiptar në këto hapësira.

Ndërsa, sipas Naim Prelvukaj, i cili para pak ditësh vuajti burgun 11-të ditor në Bjello-Polje për shkak të mbrojtjes së të drejtës për mjedis të pastër,”shqiptarët që administrohen nga Mali i Zi kërkojnë nga diplomacia shqiptare e Kosovës që të na prezantojnë denjësisht në shpalimin e politikës së errët shovene malazeze dhe të njoftojnë për gjendjen reale të shqiptarëve, meqe Mali i Zi ka mashtruar opinion ndërkombëtar se të drejtat e pakicave, gjegjësisht të komunitetit shqiptar janë në përfillje me normat dhe standardet ndërkombëtare. Gjë që nuk është e vertet!”, tha Prelvukaj, sipas të cilit e drejta shqiptare nën administrimin e Malit të Zi duhet të ketë karakter ndërkombëtar për të sjell gjerat në vend, përfundimisht./RTK/

Etiketa: ,
Të fundit