Shqiptarët në Bosnje dhe Hercegovinë, të integruar në shoqëri, por ruajtës të identitetit kombëtar


E shtunë, 4 Prill 2015

SARAJEVË – Tashmë prej qindra vjetësh, gjeneratat shqiptare lindin, jetojnë dhe vdesin në Bosnje dhe Hercegovinë, shtetin në të cilin, si kombësitë e tjera pakicë të klasifikuar në kategorinë “të tjerët”, luftojnë për të drejtat e tyre.

Tashmë prej qindra vjetësh, gjeneratat shqiptare lindin, jetojnë dhe vdesin në Bosnje dhe Hercegovinë, shtetin në të cilin, si kombësitë e tjera pakicë të klasifikuar në kategorinë “të tjerët”, luftojnë për të drejtat e tyre, shkruan Anadolu Agency (AA).

Por shqiptarët, si edhe për 17 kombësitë pakicë në BeH, sa janë të njohura me ligj dhe Kushtetutë të BeH, i “fyen” dispozita kushtetuese e cila ua mohon të drejtën për t’u zgjedhur në institucione të caktuara qeveritare.

Shqiptarët në BeH janë të organizuar nëpër shoqata kantonale të shqiptarëve, të bashkuar në Bashkësinë Shqiptare. Përmes kësaj bashkësie, përkatësisht Klubit të Shqiptarëve “Bajram Curri”, shqiptarët shënojnë festa historikisht të rëndësishme të tyre, ruajnë librat në gjuhen amtare dhe kujtime të tjera nga atdheu.

Për ata, siç edhe për komunitete tjera pakicë, pak shkruhet dhe flitet, janë të integruar në shoqërinë boshnjake, por gjithnjë duke ruajtur identitetin e tyre kombëtarë.

Vlerësohet se sot në BeH jetojnë 10.000 deri 12.000 shqiptarë që e bën një nga komunitetet më të mëdha pakicë.

– Dikur në Sarajevë shkolla fillore shqiptare me plan programin kosovar-

Që shqiptarët nga të gjitha trevat e Ballkanit disa shekuj më parë u zhvendosën në Bosnje dhe Hercegovinë flasin toponimet e vendeve siç janë Butmiri, fshati Arnautoviqi, mali Majevica e shumë tregues të tjerë në Sarajevë dhe BeH.

Muharrem Zejnullahu, Kryetar i Bashkësisë Shqiptare në BeH dhe ish-ambasador i BeH në Shqipëri, aktualisht punonjës diplomat në Ministrinë e Jashtme të BeH, duke folur për Anadolu Agency (AA), tregon se ky numër pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë konsiderueshëm më i madh.

“Me regjistrimin e popullsisë të vitit 1971 vetëm në Sarajevë kanë qenë mbi 18.000 shqiptarë të deklaruar me kombësi shqiptare, dhe ai numër në nivel të Bosnjës dhe Hercegovinës ka shkuar në disa dhjetëra mijëra më lartë”, tregon Zejnullahu, duke vënë në dukje në vitin 1954 studentët shqiptarë kanë themeluar klubin e parë të shqiptarëve, klubin “Lulëzimi”.

Vetë fakti se në Sarajevë dikur ka ekzistuar numri aq i madh i shqiptarëve të deklaruar ka ndikuar që të krijohet edhe shkolla në gjuhën shqipe nga klasa e parë deri në klasën e tetë. Mësimi është zhvilluar në shkollën fillore “Bane Shurbat” në lagjen Gërbavicë të Sarajevës.

“Arsimtarët kanë qenë nga Kosova, e gjithë literatura ka ardhur nga botimet e Kosovës, mësimi është zhvilluar sipas plan- programit të Kosovës të asaj kohe për arsimimin fillor, dhe kjo vazhdoi deri në vitin 1981, kur shkolla u mbyll”, thekson Zejnullahu.

Ai shton se atë vit gjithashtu ishte mbyllur Klubi shqiptar “Bajram Curi”, i cili u themelua në vitin 1969, për t’u bërë klubi i kombeve dhe kombësive “Boro Ramiz”.

– Të lënë pas dore nga buxheti i shtetit

“Bajram Curi” u rikthye në vitin 1990. Muharrem Zejnullahu, së bashku me disa entuziastë të tjerë shqiptarë krijuan Lidhjen Demokratike të Shqiptarëve në BeH, partia politike e cila në atë kohë ka qenë parti e katërt e regjistruar. Pas luftës në BeH (1995) u themeluan shoqata e shqiptarëve nëpër kantone. Bashkësia shqiptare u themelua në vitin 2000 dhe vazhdon të funksionojë si e tillë deri më sot.

Disa vite me radhë Bashkësia ka pasur aktivitete ku është ofruar mësimi plotësues për nxënësit shqiptarë, dhe falë ndihmës së Komunës Stari Grad në Sarajevë, e cila e vetmja disa vite me radhë ka ndihmuar financiarisht, por me reduktimin e buxhetit të tyre ndihma modeste e kësaj komune u ndal.

“Sot Bashkësia shqiptare fatkeqësisht nuk ka financim nga shteti, sepse shteti nuk i financon pakicat kombëtare. Shteti nuk i jep të drejtë pakicave kombëtare, Kushtetuta, dhe ligji për zgjedhje nuk u lejojnë atyre të kandidohen dhe të zgjidhen në mënyrë të barabartë si të gjithë të tjerët”, ka thënë Zejnullahu për AA.

Pavarësisht mosmbështetjes nga institucionet shtetërore, shqiptarët në BeH nuk kanë pasur probleme me integrimin në shoqëri. Zejnullahu pretendon se sot ka shqiptarë të dalluar në Bosnje dhe Hercegovinë, në Sarajevë.

“Kemi menaxherë të dalluar, mjek mjaft të shquar në BeH siç është kardiokirkurgia e parë grua në BeH, profesoresha Iliriana Haxhibeqiri Karabdic, kemi në qendra klinike doktorë dhe epidemiolog të tjerë, pronarë të universiteteve private, ushtarë të dalluar, komandantë, gjeneralë, diplomatë…”

Në institucione shtetërore nuk ka numër të madh të shqiptarëve, ata, siç thotë Zejnullahu mund të numërohen në gishta të një dore.

– “Është fyerje të jesh ‘të tjerët’”

Në preambulën e Kushtetutës së Bosnjës dhe Hercegovinës bëhet dallimi ndërmjet dy kategorive të qytetarëve – boshnjakët, kroatët dhe serbët, të cilët quhen popujt konstitutiv, ndërsa kategorinë e dytë e përbëjnë “të tjerët”. “Të tjerët” përfshin romët, hebrenjtë dhe pakicat e tjera, përfshirë këtu edhe shqiptarë, si dhe ata që zgjedhin mos t’i përkasin asnjë grupi etnik. Pra postet kryesore, si të qenit anëtar në presidencën trepalëshe të shtetit, janë të rezervuara vetëm për serbët, kroatët dhe boshnjakët.

Këtë status në BeH nuk e gëzon asnjë grup minoritarë, ndërsa Zejnullahu e quan atë “fyerje”. “Normalisht që është fyerje e rëndë, nuk ka në botë nacionalitet që deklarohet ‘të tjerët’. Çka domethënë ‘të tjerët’”, thotë Zejnullahu duke theksuar se as gjashtë vite pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg me rastin Sejdiç-Finci kundër Bosnje-Hercegovinës, Qeveria dhe komuniteti ndërkombëtarë nuk bënë asgjë në mënyrë që ky të zbatohet.

“Flasin se nuk e kanë lënë anash çështjen e pakicave kombëtare dhe të drejtën e tyre të kandidohen, të votohen, të zgjidhen. Do të thotë kjo është, shkelje flagrante, jo vetëm e institucioneve të këtij vendi, por edhe nga ata që sot udhëheqin dhe kërkojnë që ky shtet t’i aplikojë të gjitha normat elementare që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e njeriut”, thekson ai.

Megjithatë, problemi i cili shqiptarët në BeH, veçanërisht ata me origjinë nga Kosova i prek më së shumti është regjimi ekzistues kufizues i vizave ndërmjet BeH dhe Kosovës.

– Marrëdhëniet mes BeH dhe Kosovës të ngrira-

Shqiptarët në BeH ndjehen të diskriminuar sepse BeH, përveç Serbisë, është i vetmi vend në rajon që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por marrëdhëniet e të cilës janë në një nivel më të ulët se të Serbisë. Përveç se nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, BeH është larg nga marrëveshja mbi lirinë e lëvizjes dhe njohjen e dokumenteve, marrëveshje kjo e cila ekziston ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse edhe me dokumente të UNMIK-ut, BeH ka futur viza për qytetarët e Kosovës, procedure a marrjes së tyre, vlerëson Zejnullahu ishte shumë më e lehtë.

“Me shpalljen e pavarësisë dhe me mosnjohjen e dokumenteve të Kosovës, ne ballafaqohemi me problemin tjetër, që është të marrim dhe të vërtetojmë ftesat për të afërmit tanë, të na vijnë për çdo rast”, theksoi ai, dhe shton se është gati e pamundur të marrësh viza, sepse siç thotë, Drejtoria për të huaj nuk u vërteton ftesën.

“Ftesat vërtetohen vetëm në rast sëmundjeje dhe në rast vdekjeje”, vazhdon Zejnullahu.

Rasti i dytë që shqiptarët u lanë në një pozitë të vështirë pasigurie është mbyllja e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Bosnje Hercegovinë.

Shqiptarët në BeH nuk e kanë pritur mirë mbylljen e ambasadës së Shqipërisë në Sarajevë në qershor të 2014, ndërsa Zejnullahu pranon se me mbylljen e ambasadës shqiptare në Bosnje, shqiptarët janë në një pozitë më të vështirë dhe pasigurie.

“Ambasada shqiptare, fatkeqësisht për katër vite u qëndroi larg interesave të komunitetit shqiptar në BeH, megjithatë kemi pasur ku të paraqitemi për probleme në të cilat kemi hasur”, theksoi ai.

Mosnjohja e dokumenteve nga BeH shtyri që Qeveria e Kosovës të aplikojë reciprocitetin e vizave ndaj shtetit të Bosnjes dhe Hercegovinës.

“Marrëdhëniet mes dy vendeve janë komplet të ngrira. Nuk bisedohet në asnjë nivel, që dy shtete të bëjnë hapa të caktuar, së paku për njohjen e dokumenteve të Kosovës”, thekson Zejnullahu, duke shtuar se reciprociteti i vizave ndikoi në marrëdhëniet ekonomike dhe këmbimin tregtarë mes këtyre vendeve.

Ndërkohë, tregu kosovar ishte një nga të rrallët ku BeH kishte shënuar suficit të jashtëm tregtarë.

Etiketa: , ,
Të fundit