Shqiptari në Bari u ekzekutua për një shuplakë


E martë, 2 Shtator 2014

Bari, Itali – Zbardhet vrasja e 25-vjeçarit shqiptar i cili u ekzekutua në lagjen ‘Liberta’ të Barit me tre plumba. Sipas burimeve të policisë bëhet fjalë për një “hakmarrje” ose një lloj ndëshkimi për një shuplakë që shtetasi shqiptar, Flori Mesuti i kishte dhënë një 15-vjeçari.

Por mesa duket Flori Mesuti e pagoi me jetën e tij shuplakën që i dha atij për të shuar një konflikt mes disa të rinjve. Sipas hetimeve 15-vjeçari raportoi te të afërmit e tij, të cilët vendosën ta ndëshkonin Mesutin, një ndëshkim i cili arriti deri në vrasjen e shqiptarit.

Tre ishin personat e armatosur të cilët ekzekutuan shqiptarin, dhe plagosën lehtë shoqëruesen e tij në afërsi të Kishës së qytetit në lagjen ‘Liberty’. Sipas hetimeve, mësohet se ai u ndoq për disa metra nga personat dhe më pas u qëllua në afërsi me tre plumba në gjoks.

Autori i vrasjes është një i afërm i 15-vjeçarit. Vendi ku ndodhi vrasja ndodhet disa metra larg Kishës Redentore, e cila kohët e fundit është kthyer në arenë e përleshjeve mes dy klaneve italiane për kontrollin e aktiviteteve ilegale, kryesisht trafik droge. Flori Mesuti ishte rezident në Itali, pa precedentë penalë./shekulli/

Etiketa: ,
Të fundit