Shtëpia më e vetmuar në botë


E mërkurë, 21 Tetor 2026
Shtëpia më e vetmuar në botë

Në mes të Atlantikut të Veriut, mes dallgëve të fuqishme dhe shkëmbinjve të thepisur të brigjeve të Islandës, ndodhet një prej vendeve më të izoluara në Evropë.

Ishulli Elliðaey, pjesë e arkipelagut Westman, është bërë i famshëm në rrjetet sociale për një ndërtesë të vetme që qëndron e vetmuar mbi shkëmbinj, një shtëpi që shpesh është pagëzuar si “shtëpia më e vetmuar në botë”.

Por pas pamjes spektakolare fshihet një realitet shumë më praktik. Për dekada, energjia për këtë shtëpi gjuetie është siguruar përmes karburantit dhe bombolave të gazit, të cilat duhej të transportoheshin me varka dhe më pas të ngjiteshin me vinç nëpër shkëmbinj.

“Ne jemi ishulli në bregdetin jugor të Islandës, i quajtur Elliðaey. Është një nga shtëpitë më të vetmuara në botë dhe është shumë i izoluar”, pohoi Ragnar Thor Johannsson, kryetar i Shoqatës së Ishullit Elliðaey.

Shtëpia e gjuetisë u ndërtua në vitin 1953 dhe ishulli mund të arrihet vetëm me varkë, kur kushtet e motit e lejojnë.

Për të sjellë pajisjet e reja në ishull, ekipi duhet të përballet me shkëmbinjtë e pjerrët dhe detin e hapur.

Çdo kuti, çdo pajisje dhe çdo furnizim duhet të transportohet nga varka dhe të ngrihet me vinç drejt shtëpisë.

“Shtëpia është këtu sepse njerëzit, në atë kohë, kishin nevojë të mbijetonin. Kishin nevojë për strehim ndërsa merreshin me bujqësi, gjueti dhe mblidhnin ushqime për dimrin”, u shpreh Johannsson.

Një zgjidhje që në një ishull të tillë nuk është vetëm e kushtueshme, por edhe jashtëzakonisht e vështirë për t’u realizuar.

“Për ta mbajtur këtë shtëpi funksionale gjatë 60 apo 70 viteve të fundit, na është dashur të mbështetemi te karburanti dhe propani. Është jashtëzakonisht e vështirë t’i sjellësh këtu. Dhe nuk është mirë për mjedisin”, tha, ndër të tjera, Johannsson.

Zgjidhja e re është një sistem baterie me kapacitet 5 kilovat-orë, i kombinuar me panele diellore.

Anëtarët e shoqatës së ishullit vendosën të investojnë në këtë teknologji për të reduktuar varësinë nga karburantet fosile dhe për të ulur numrin e udhëtimeve të vështira drejt ishullit.

Pajisjet u transportuan me sistemin e vinçit që përdoret prej vitesh për të sjellë furnizimet në tokë.

“Kur ke prona si kjo, ku nuk ka absolutisht asnjë mundësi për lidhje me rrjetin elektrik, mbështetesh te gjeneratorët. Dhe kjo sjell probleme: transportin e karburantit dhe gjithçka tjetër. Në një vend të tillë është shumë e vështirë të sigurosh energji dhe ta mbash shtëpinë funksionale gjatë sezonit kur përdoret. Prandaj bateria dhe energjia diellore kanë shumë kuptim”, pohoi Simon Smith, ekspert i instalimeve off-grid.

Panelet diellore tashmë janë vendosur në çatinë e një ndërtese pranë shtëpisë së gjuetisë.

Energjia e prodhuar gjatë ditës ruhet në bateri dhe më pas mund të përdoret për nevojat e përditshme.

“Panelet diellore dalin jashtë, i lidh dhe ke menjëherë aparatin e kafesë. Mund të përdorim energjinë natyrore dhe të kursejmë kaq shumë udhëtime vajtje-ardhje drejt pikës së karburantit”, u shpreh Johannsson.

Për banorët dhe anëtarët e shoqatës, ndryshimi nuk është vetëm teknik.

Në një vend ku çdo furnizim kërkon planifikim, mot të favorshëm dhe një udhëtim të vështirë me varkë, ruajtja e energjisë dhe e ushqimit mund të ndryshojë ndjeshëm mënyrën e jetesës.

Por Elliðaey nuk është një vend ku teknologjia mund të merret lehtë si e mirëqenë.

Kushtet e motit janë ekstreme. Në këtë pjesë të Atlantikut, dallgët mund të arrijnë më shumë se nëntë metra lartësi, ndërsa erërat mund të jenë jashtëzakonisht të fuqishme.

Pikërisht për këtë arsye, ishulli po shërben edhe si një provë e pazakontë për teknologjinë e energjisë së rinovueshme.

“Përfitimi më i madh këtu është se sistemi po testohet në mjedisin më ekstrem që mund t’i ofrojmë. Nuk ka asnjë alternativë rezervë. Ose funksionon, ose nuk funksionon. Dhe sistemi qartësisht funksionon. Po punon tani”, tha Smith.

Për Ragnar Thor Johannsson, suksesi i këtij instalimi ka një kuptim edhe më të madh.

Sepse nëse një sistem i tillë mund të përballojë erërat, dallgët dhe izolimin e Elliðaey, atëherë mund të jetë një zgjidhje edhe për shumë vende të tjera të largëta, ku lidhja me rrjetin elektrik është e pamundur.

Nga një strehë e ndërtuar dekada më parë për të ndihmuar njerëzit të mbijetonin në një prej vendeve më të ashpra të Islandës, në një pikë të vogël të gjelbër mes Atlantikut, kjo shtëpi po hyn në një tjetër epokë.

Elliðaey mbetet po aq i izoluar, i rrethuar nga deti dhe i ekspozuar ndaj motit të egër. Por energjia e tij tashmë vjen nga dielli.

Dhe në një ishull ku çdo pikë karburanti është dashur të transportohet me varkë e të ngjitet me vinç në shkëmbinj, ky është një ndryshim i vogël në pamje, por i madh për jetën e atyre që e përdorin këtë strehë.


Burimi: mesazhi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit