E enjte, 18 Shkurt 2016
Prishtinë – Edhe pas tetë vjetëve shtet ekonomia kosovare është ende e brishtë dhe gjendet në një fazë të hershme të zhvillimit të saj dhe se problemin më të madh e ka me deficitin e vazhdueshëm tregtar, prodhimin e ulët, papunësinë, ekonominë informale, varësinë nga remitancat, etj.
Ekspertët e ekonomisë po konsiderojnë se për këto situata përgjegjës tjetër nuk ka pos Qeverisë, si kësaj aktuale, por edhe të atyre të mëparshme.
Një ndër indikatorët e zhvillimit ekonomik që është paraqitur me pozitiv gjatë vitit të kaluar, investimet e huaja direket, sipas të dhënave tregojnë se brenda tetë vjetëve Kosovën e kanë harruar investitorët e huaj.
Statistikat tregojnë se me të marrë timonin e shtetit autoritetet vendore investimet e huaja kanë shënuar rënie drastike.
Një vit para se të shpallej pavarësia më 2007, investimet kanë qenë në vlerën prej 440 milionë eurove, në 2008 – 370 milionë euro, 2009 – 295 milionë euro, 2010 – 368 milionë euro, 2011 – 384 milionë euro, 2012 – 229 milionë euro, 2013 – 280 milionë euro, 2014 -151 milionë euro, ndërkaq për vitin 2015 është thënë se investimet kanë qenë në vlerën prej 270 milionë eurove.
Zhvillim ekonomik nuk solli as privatizimi, nga 500 ndërmarrje shoqërore të privatizuara gjatë tërë procesit, vetëm disa nga to janë funksionale.
“Trepça” është larguar nga lista e privatizimit, ndërkohë që statusi i saj vazhdon të mos jetë i definuar. E, sikur shumë projekte në Kosovë edhe ai për Brezovicën nuk po ecën siç ishte paraparë fillimisht.
Ibrahim Rexhepi, njohës i ekonomisë, ka thënë se investimet një periudhë kanë pasur trend të rritjes, por kryesisht të mbështetura nga sektori publik. “Ndërkaq paraja publike për zhvillim kryesisht u përdor për asfalt, përkatësisht për infrastrukturën rrugore, duke margjinalizuar kërkesat që ishin në sektorë të tjerë si: në arsim, shëndetësi, energjetike, ujë e kanalizim”, ka thënë Rexhepi.
Gjendja e përgjithshme në Kosovë, sipas tij, ka avancuar në krahasim me nivelin e vitit 2008, por nëse bëhet një vështrim më i thellë i këtyre ecurive, Rexhepi thotë se dalin edhe anomali.
“GDP-ja është më e lartë, konsumi është më i madh, ka më shumë të punësuar, ka një nivel më të lartë të prodhimit bujqësor e industrial, ka pasur shumë investime publike e private, si edhe rritjet të të hyrave në buxhet. Kemi edhe një realitet tjetër, varfëria dhe problemet sociale janë gjithnjë e më të theksuara. Kjo duket anomali, por qëndron fakti se nga rritjet e këtilla nuk ka pasur përfitime të përgjithshme, por ka qenë një situatë e prej së cilës ka përfituar një shtresë e ulët e shoqërisë, të lidhur me struktura të pushtetit apo edhe me klane mafioze”, ka thënë Rexhepi. /Zëri/