Shuhen shpresat për vizat


E shtunë, 11 Qershor 2016

v-1450937274-168816_1465623703-2295032

Duket se të premten edhe përfundimisht janë shuar shpresat që për qytetarët e Kosovës të hiqen vizat gjatë verës, edhe pse nga ana e Bashkimit Evropian as më parë nuk ka pasur premtime për afate se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave, shkruan sot Koha Ditore.
Kosova është njëri prej katër shteteve për të cilat Komisioni Evropian para pak më shumë se një muaj kishte rekomanduar heqjen e vizave.

Tash procedurat për të vendosur në bazë të këtij rekomandimi kanë nisur në Këshillin e BE-së dhe në Parlamentin Evropian.

Përderisa në Parlament nuk pritet ndonjë problem, sepse ekziston mbështetja e qartë e shumicës, në Këshill ka disa shtete të cilat kanë disa rezerva. Dhe ato rezerva nuk janë vetëm për Kosovën, por edhe për tri shtetet të tjera që janë në pritje: Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Turqinë.

Kjo u pa edhe gjatë takimit të ministrave të brendshëm të Bashkimit Evropian që u zhvillua të enjten në Luksemburg, ku disa ministra shprehën rezervat e tyre dhe sugjeruan që të priten disa sqarime para se të merren vendimet përfundimtare.