Si çoi emri i Radoiçiqit në përleshje fizike në Kuvend?


E enjte, 13 Korrik 2023

PRISHTINË – Emri i Milan Radoiçiqit, nënkryetar i Listës Serbe i akuzuar për krime të ndryshme, në kërkim nga institucionet e drejtësisë dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, çoi në përleshje fizike në mes të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ministrave të Qeverisë së Kosovës.

Përleshjes i parapriu një debat i ashpër akuzash rreth një audio-incizimi, në të cilin kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, u dëgjua të pranonte se kishte komunikuar me Milan Radoiçiqin vitin e kaluar.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e akuzoi Qeverinë se është e ‘kapur’ nga Milan Radoiçiqi.

“Çfarë duhet të ndodhë më shumë për të kuptuar se ju jeni të kapur nga krimineli që është në listën e zezë të Amerikës, që ka urdhërarrest nga prokuroria?”, deklaroi Hoxha.

Ndërsa, Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tha se komunikimi i Kusari – Lilës me Radoiçiqin, është bërë me leje të kryeministrit.

“Ajo [bisedën me Radoiçiqin] e ka bërë me lejen e tij, por nëse ia ka dhënë detyrë t’i bëjë numrat, ia ka dhënë detyrë edhe ta bëjë komunikimin”, tha Gashi.

Pak para përleshjes kryeministri Albin Kurti akuzoi qeveritë e kaluara, të cilat, sipas tij, kanë bashkëpunuar me Radoiçiqin.

“Kur kanë qenë qeveritë e kaluara, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Kontributi ynë është se është në hotelin Kopaonik, në anën tjetër të kufirit, në anën e Serbisë”, u shpreh Kurti.

Siç u bë e ditur në audio-incizimet e publikuara nga portali Nacionale, në kohën kur Kusari – Lila bisedoi me Radoiçiqin, ai ka qenë në kërkim nga Policia e Kosovës, i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar.

Milan Radoiçiqi është nënkryetar i subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë, Listës Serbe.

Opozita pati reagim të ashpër ndaj Qeverisë pas konfirmimit të Kusari – Lilës se kishte komunikuar me Radoiçiqin për të kërkuar mbështetjen e Listës Serbe për disa iniciativa ligjore.

Vetëvendosje, jo vetëm tani, por edhe para se të vinte në pushtet, e kishte cilësuar Radoiçiqin si një kriminel që punon kundër shtetit të Kosovës./REL

Etiketa: , , , ,
Të fundit