E mërkurë, 9 Korrik 2014
Për dallim nga grupi parlamentarLDK-AAK-NISMA, i cili pritet të regjistrohet nesër në Kuvendin e Kosovës dhe që në mesin e tij do të ketë 44 deputetë, grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet me numrin e deputetëve nga lista e saj në zgjedhjet e 8 qershorit, që do të thotë se do të përfaqësohet me 37 deputetë.
Nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë për Telegrafin se grupi parlamentar i PDK-së përbëhet vetëm nga deputetët “të cilët kanë dalë si rezultat i zgjedhjeve dhe vullnetit të popullit”.
Ai më tej ka shtuar se PDK-ja është parti fituese e zgjedhjeve dhe, sipas tij, çdo tentim për ta ndryshuar këtë realiteti do të ishte në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
Në anën tjetër, Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka sqaruar për Telegrafin se grupit më të madh parlamentar i takon që ta propozojë kryetarin e Kuvendit.
“Deputetët, para dhe pas betimit, janë të lirë që të vendosin se pjesë e cilit grup parlamentar do të jenë. Rregullorja e Kuvendit e parasheh që grupit më të madh parlamentar i takon e drejta për ta propozuar kryetarin e Kuvendit. Do të thotë se nëse opozita (LDK, AAK dhe Nisma) regjistrohet si një grup i vetëm parlamentar, atyre iu takon e drejta për ta propozuar të parin e Kuvendit”, ka thënë Doli për Telegrafin.
Ndryshe, sot (të mërkurën) janë regjistruar deputetët e PDK-së, që janë 37, ndërsa nesër pritet që të regjistrohen deputetët e opozitës të cilët kanë paralajmëruar se do të regjistrohen si një grup i vetëm parlamentar, që do t’ia mundësonte opozitës të kishte 44 deputetë, ose shtatë deputetë më shumë se PDK-ja.
Në anën tjetër, lideri i AAK-së ka deklaruar për media se Hashim Thaçi e PDK-ja nuk mund ta blejë askënd, sepse nuk ka deputetë në shitje.
“Nuk ka deputetë në shitje. Mund të mos jenë tepër fanatik të partive të veta, por kanë integritet dhe askush nuk pranon me u shit”, ka theksuar Haradinaj./rtk/