“Si i ula në një tryezë Ramën, Metën dhe Bashën”


E mërkurë, 27 Janar 2016

Tiranë – Batuta, ironi, thumbime, dakordësi, ide të kundërta, (mos) shtrëngime duarsh dhe incidente, kjo ishte panorama e konferencës kombëtare me temë “Korrupsioni zgjedhor, nevoja për një reformë elektorale të thelluar dhe gjithëpërfshirëse”, në të cilët u bënë bashkë aktorët kryesorë të politikës në vend, si kreu i ekzekutivit, Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PS-së, kryeparlamentari dhe lideri i LSI-së, Ilir Meta dhe kreu i opozitës Lulzim Basha.


Ishte Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, organizata që mori iniciativën për të bërë sëbashku liderët e politikës në vend, me qëllimin e përbashkët, diskutimi mbi reformën zgjedhore. E kontaktuar nga gazeta “Shekulli”, Greta Meta, drejtore ekzekutive e kësaj organizate tregon se si arritën t’i ulnin bashkë në një tryezë krerët e partive kryesore në vend dhe si u anulua në momentet e fundit pjesëmarrja e kreut të shtetit, Bujar Nishani.

“Kur ne kemi bërë takimet individuale, të gjithë ranë dakord në parim për të qenë pjesë e kësaj tryeze. Të gjitha partitë dhe liderët e tyre e mbështetën këtë iniciativë për vetë faktin se reforma duhet të jetë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse. Madje duhet konsultuar sa më gjerë edhe me grupet e interesit. Si zoti Nishani, edhe zotërinjtë Rama, Meta dhe Basha ishin shumë entuziastë kur i kemi kontaktuar dhe kjo ishte edhe një indicie për ne që meqë reforma duhet bërë në kohën e duhur pse të mos i ulim në një tryezë të përbashkët”, tha zonja Meta. Në lidhje me mungesën në tryezë të kreut të shtetit ajo shprehet se kjo ishte diçka e papritur pasi deri pak para fillimit të takimit ishte rënë dakord për prezencën e tij, madje ajo insiston se kreu i shtetit asistoi edhe në organizimin e saj.

“Sigurisht që edhe me zotin Nishani jemi takuar më herët, ramë dakord edhe në parim për praninë e tij, madje rol në organizmin e tryezës kishte edhe institucioni i Presidentit, ashtu si edhe shoqëria civile, por në momentet e fundit u lajmëruam që ishte e pamundur nga ana e zotit Nishani për tu bashkuar në tryezë. Gjatë gjithë kontakteve tona edhe zoti Nishani ishte shumë i bindur që të gjitha palët duhet të jenë bashkë për këtë çështje. Entuziazmi individual i tyre u realizua sot (dje) në një takim të përbashkët, të cilit urojmë ta ruajmë si një model dhe fizionomi të bashkëpunimit edhe për reforma të tjera”, theksoi zonja Meta./shekulli/

Të fundit