E mërkurë, 14 Nëntor 2018
PRISHTINË – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka paralajmëruar presidentin e vendit, Hashim Thaçi, se rrezikon të shkarkohet nga posti i tij, nëse nënshkruan diçka që cenon integritetin territorial të vendit.
Por, si mund të shkarkohet presidenti i Kosovës?
Për këtë çështje, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se, Kushtetuta e Kosovës hyn në kuadër të Kushtetutave që mbron Presidentin nga shkarkimi për arsye politike.
“Në këtë drejtim, Presidenti i Republikës mund të shkarkohet vetëm nëse janë plotësuar kriteret e përcaktuara në Kushtetute dhe duke ndjekur procedurat. Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, thotë Miftaraj për gazetën “Bota sot”.
Ai thekson se, procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim.
“Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë mendimin e konsiliumit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Presidentit. Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga marrja e peticionit. Po ashtu Kushtetuta, përcakton se Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është dënuar për ndonjë krim të rëndë ose kur nëse Kuvendi, në pajtim me këtë nen, konstaton që Presidenti nuk është i aftë të ushtrojë – përgjegjësitë e tij/saj për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund të shkarkojë Presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij”, potencon Ehat Miftaraj.
Etiketa: Aktuale, Ehat Miftaraj, Hashim Thaçi, Kosovë, Presidenti