E martë, 17 Janar 2023
DAVOS – Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, liderët politikë dhe të biznesit do të takohen në resortin zviceran të Davosit, ku në agjendë janë çështje nga paqëndrueshmëria gjeopolitike deri te ndryshimet klimatike.
Megjithatë, teksa ata kërkojnë konsensus dhe zgjidhje për sfidat globale, aktivistët mjedisorë argumentojnë se aranzhimet e tyre të udhëtimit mund të rezultojnë më të rëndësishme – pasi qindra pjesëmarrës kanë vendosur të udhëtojnë me avionë privatë me ndotje të lartë.
Gjatë ngjarjes njëjavore të vitit të kaluar 1.040 avionë privatë fluturuan brenda dhe jashtë aeroporteve që shërbenin në Davos, tregon një raport i porositur nga Greenpeace.
“Për një forum ku njerëzit në të vërtetë pretendojnë se zgjidhin çështjet e klimës… duket mjaft hipokrite”, tha Klara Maria Schenk, aktiviste e Greenpeace Europe.
Por, nuk është vetëm Davos. Përdorimi i avionëve privatë nga super të pasurit dhe udhëheqësit politikë po nxit gjithnjë e më shumë zemërimin e publikut.
Ylli i popit, Taylor Swift, është përballur me kritika për zakonet e saj të udhëtimit me avion, ndërsa kryeministri britanik, Rishi Sunak, kohët e fundit u kritikua për një fluturim 36-minutësh brenda në Angli.
Pra, cili është ndikimi i avionëve privatë në mjedis dhe çfarë mendojnë ekspertët si përgjigje?
Një avion privat mund të lëshojë dy tonë dioksid karboni brenda një ore – që është e barabartë me disa muaj të emetimeve mesatare të gazrave serrë të një personi në Bashkimin Evropian, sipas OJQ-së Evropiane Transport & Mjedis (T&E).
Sipas të dhënave të T&E-së, avionët privatë janë 5 deri në 14 herë më ndotës se avionët komercialë për pasagjerë, dhe 50 herë më shumë se hekurudhat me shpejtësi të lartë.
“Nëse e ndani atë sipas pasagjerëve dhe kilometrave, është në fakt mënyra më ndotëse për të udhëtuar”, tha aktivistja e Greenpeace në një intervistë.
Vitin e kaluar në Davos më shumë se gjysma e fluturimeve kaluan më pak se 750 km, dhe fluturimi më i shkurtër i regjistruar ishte vetëm 21 km, zbuloi hulumtimi i Greenpeace.
Etiketa: Greenpeace, World Economic Forum