E martë, 24 Qershor 2025
Presidenti amerikan Donald Trump, në një mesazh në platformën e tij Truth Social, tha se ishte “goditja perfekte” ndaj Iranit që i afroi palët dhe ndihmoi në arritjen e marrëveshjes për paqe. Ai pohoi se si Izraeli, ashtu edhe Irani iu drejtuan atij njëkohësisht, duke kërkuar një zgjidhje, raporton Aljazeera.
Megjithatë, burimet iraniane e shohin ndryshe. Një prezantues iranian deklaroi se ishte vetë Trump që telefonoi “në mënyrë të dëshpëruar” pas një sulmi iranian ndaj një baze amerikane në Katar.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, negociatat nisën kur Trump bisedoi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe arriti të siguronte dakordësinë e Izraelit. Më pas, ai kontaktoi Emirin e Katarit, duke i kërkuar ndihmë për të bindur Iranin. Emiri i Katarit dhe kryeministri i vendit thuhet se arritën të sjellin Teheranin në tryezën e bisedimeve.
Një rol kyç në koordinimin e logjistikës dhe negociatave e kanë luajtur zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, përmes kontakteve të drejtpërdrejta e të tërthorta me përfaqësues iranianë.
Armëpushimi tani është zyrtarisht në fuqi. Por pyetja që mbetet është: A do të zgjasë? /mesazhi
Etiketa: Aktuale