E mërkurë, 18 Tetor 2017
Gjithçka ka nisur pas zgjedhjeve të fundit, kur koalicioni PDK-AAK-Nisma po i kërkonte Behgjet Pacollit që të bëhej bashkë me ta për formimin e Qeverisë. Në të njëjtën kohë, Pacolli po takohej edhe me Kurtin për formimin e një aleance, që bashkë me LDK’në do të bënin shumicën.
Burime të Gazetës Express thonë se pikërisht tentimi për të krijuar marrëveshje në skenën politike kosovare ishte shkak i ftohjes së raporteve mes Edi Ramës e Hashim Thaçit, që filloi kur ky i fundit i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë ta luante ndërmjetësuesin pas zgjedhjeve e të fliste me Pacollin, që nuk po bindej.
Kjo është edhe pika ku Presidenti i Kosovës u zhgënjye me mikun e tij, Ramën.
Rama ishte takuar disa herë me Pacollin, por, sipas burimeve të Express, ai nuk i kishte thënë të bashkohej me PAN, përkundrazi për kryeministrin shqiptar, Pacolli do të bënte më mirë sikur të arrinte marrëveshje me Kurtin.
Lëvizja Vetëvendosje ka raporte të mira me Partinë Socaliste kaherë. Vitin e kaluar, kur socialistët e Shqipërisë mbajtën Kongesin e Partisë, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca ishin të vetmit politikanë të ftuar nga Kosova.
Madje, ata në kongres u priten nga aktivisti i VV’së, Boiken Abazi, të cilin Policia e Kosovës e kishte larguar me forcë nga shteti.
Së fundmi, po thuhej se Edi Rama në përbërje të Qeverisë së tij do të emëronte edhe dikë nga Kosova, duke u përmendur Baton Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Mimoza Kusari. Por, shefi i ekzekutivit të Shqipërisë zgjodhi të marrë nga kampi tjetër politik në Kosovë.
Edi Rama ka emëruar katër zëvendësministra nga Kosova, e në mesin e tyre është edhe Besa Shahini në Ministrinë e Arsimit, e cila është e dashura e deputetit të Vetëvendosjes, Dardan Molliqajt.
Për t’u kthyer prapë te raportet miqësore të Ramës e të Thaçit; Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta para pak ditësh qëndroi në Kosovë me ftesë zyrtare të Thaçit, disa ditë pasi dy liderët ishin shfaqur bashkë në Tiranë për ta shikuar një ndeshje futbolli. Përveç dekoratës që i bëri në zyrën e tij, Thaçi i kërkoi Metës që Shqipëria të lëshojë pasaporta për kosovarët.
Përderisa Presidenti Thaçi pati kërkesë eksplicite kundrejt shtetit të Shqipërisë, akoma asnjë përgjigje nuk erdhi nga Zyra e Kryeministrit Rama.
Ai nuk mori mundin t’i japë çfarëdo përgjigje Thaçit.
Etiketa: Aktuale, Edi Rama, Hashim Thaçi