SIDA po përhapet me të madhe në këtë pjesë të botës


E enjte, 19 Tetor 2017

“Europa ndodhet sot para një sfide më të madhe sesa Afrika, kur është fjala për luftën ndaj HIV-it”, tha zëvendësdrejtori i Programit të OKB-së për Sidën (UNAIDS), Luiz Loures, në Berlin.

Më problematike, situata sipas tij paraqitet në Rusi. Në hapjen e konferencës së ekspertëve, Loures – i cituar nga “Deutsche Welle”, – theksoi se veprimet e ndërmarra në nivel kombëtar nuk e kufizojnë dot problemin.

“Jemi duke përjetuar një katastrofë në rajon”, deklaroi Sylvia Urban, nga kryesia e Aleancës së Aksionit kundër Sidës, në Gjermani.

Llogaritet se vitin e kaluar në Rusi numri i infeksioneve e kapërceu shifrën e 100 mijë vetëve. Rritja e infeksioneve të reja dhe e rasteve të vdekjeve nga Sida në Europën Lindore dhe në Azinë Qendrore është përkundër tendencës mbarëbotërore dhe progresit të madh të shënuar në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes.

Agjencia e OKB-së për Sidën ka përcaktuar prej kohësh objektivin ambicioz, që brenda vitit 2020, 90% e të gjithë personave me HIV të jenë në dijeni të diagnozës, 90% të marrin mjekime antiretrovirale dhe 90% të mjekohen për të mos lejuar aktivizimin e virusit.

HIV-i infekton dhe shkatërron qeliza të sistemit imunitar dhe trupi gradualisht humbet aftësinë për të luftuar infeksionet, që sjellin edhe vdekjen e personit të prekur. 

Etiketa: ,
Të fundit