E hënë, 21 Shtator 2015
Prishtinë – Deri në fund të vitit 2016, qytetaret e Kosovës nuk do të pajisen me kartelat e sigurimit shëndetësor.
Vonesa e stërzgjatur për implementimin e ligjit për sigurim shëndetësor, po i shqetëson qytetaret e vendit, disa nga të cilët thonë se tashmë i kanë humbur shpresat.
“Po me të tregu të drejtën jemi mësua me premtime,se nuk është që presim ku me ditë …diçka të mirë”.
“Të gjithë njëjtë janë, skenari i njëjtë vetëm aktorët po ndryshojnë. Psh. Në shëndetësi na e dimë se si shkon në spitalet e Kosovës, pa dhenë pakë ryshfet nuk bën, nuk kujdeset për ty,vdesë aty edhe nuk të shikon”.
Zëdhënësi i Ministrisë së shëndetësisë Faik Hoti., tha se është dashur që të krijohet këshilli përgatitor për themelimin e fondit të sigurimeve shëndetësore.
Po ashtu të krijohen disa udhëzime administrative që kanë të bëjnë më çmimorën e shërbimeve ambulatore dhe atyre spitalore.
Hoti tha se nuk mund të fillohet me zbatimin e sigurimeve shëndetësorë pa e pasur një listë për të gjithë personat e të gjitha kategorive që lirohen nga pagesa,liste kjo që tani është siguruar nga ministria e punëve të brendshme.
“Gjithashtu, Ministria e Punëve të Brendshme, duhet të siguroj listën e personave të riatdhesuar të cilët në vitin e parë më ligj janë të liruar nga pagesat dhe shume pune të tjera të cilat është dashur të kryhen para se të fillohet me mbledhjen e kontributeve”.
Hoti tha se është duke u punuar që sa me shpejtë të fillohet me mbledhjen e kontributeve.
“Synim themelor për sivjet është për mbledhjen e kontributeve, ndërsa është më evidente që këtë vit nuk do të ketë sigurime shëndetësore. Por ne fund të vitit të ardhshëm qytetaret e vendit ta kenë kartelën dhe te jenë të siguruar”.
Kontributet prej 3,5 për qind për fondin e sigurimeve shëndetësorë, ishte paraparë që të mblidhej nga viti i kaluar dhe implementimi të fillojë nga janari i këtij viti.