Sipas historianit turk, Skënderbeu më pak i rëndësishëm se guvernatori më i vogël


E mërkurë, 12 Qershor 2013

Debati mbi ndryshimin e teksteve të historisë për periudhën osmane rikthehet sërish në vëmendje. Tashmë është një historian turk që parashtron argumentet e tij në lidhje me raportin mes Perandorisë Osmane dhe vendeve të përfshira në të, mes të cilëve edhe Shqipëria.

Historiani Mehmet Hacisalihoglu, gjatë një interviste për gazetën “Panorama”, nuk pranon t’i quajë osmanët pushtues, aq më tepër në Shqipëri, nga ku sipas tij kanë dalë shumë administratorë e guvernatorë. Sipas tij, shqiptarët kanë pasur poste të larta më shumë se vetë turqit. Duke marrë si shembull Ismail Qemalin, ai thotë se para se të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë, ai kishte poste shumë të rëndësishme dhe kjo pjesë e jetës së tij nuk duhet të mohohet. Madje, ai shkon deri aty sa e quan Skënderbeun si më pak të rëndësishëm sa guvernatori më i vogël në Egjipt, nën Perandorinë Osmane…

-Prej muajsh, në Kosovë e Shqipëri ka gjalluar debati që nisi me kërkesën e Qeverisë Turke për rishikimin e teksteve të historisë për periudhën osmane. Cili është qëndrimi i historianëve turq për këtë çështje?

Çështja është më e rëndësishme nga ç’e besojmë. Se si ne i përshkruajmë miqtë dhe armiqtë në tekstet shkollore, se si ne i edukojmë të rinjtë me ndjenjën e miqësisë për fqinjët apo të armiqësisë. Në vendet e Ballkanit apo dhe në Kaukaze, imazhi i Perandorisë Osmane është shumë i keq dhe turqit trajtohen si armiq. Perandoria Osmane ka qenë si perandoritë e tjera, si ajo Romake apo Bizantine, që dominonin hapësira të mëdha dhe kishin sistemin e tyre të administrimit. Në lidhje me Shqipërinë, ka një diferencë shumë të madhe. Shumica e shqiptarëve e konsiderojnë periudhën nën Perandorinë Osmane si pushtim. Mund të ketë qenë i tillë në fillim të vendosjes së sundimit osman në tokën shqiptare, por më pas administratorë të kësaj perandorie kanë qenë më shumë shqiptarë se turq dhe në këtë këndvështrim kemi “pushtim shqiptar” në Egjipt, në Bullgari, në Anatoli etj., sepse administratorët, guvernatorët dhe komandantët e Ushtrisë osmane ishin shqiptarë. Ka pasur edhe shumë ushtarë shqiptarë. Atyre që në Bullgari dhe në Serbi u thoshin “bashibozukë”, ishin shqiptarë. Parë nga një tjetër këndvështrim, mund t’i kuptojmë popujt e tjerë që e quajnë veten viktimë të okupimit osman, por për shqiptarët nuk është korrekte. Nuk mund të quhet pushtim osman, kur dominonin shqiptarët.

-Pra, sipas jush shqiptarët ishin bashkëpunëtorë me turqit?

Ata ishin administratorë të Perandorisë Osmane. Kush e shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në 1912? Ishte Ismail Qemali, i cili ka qenë guvernator i Perandorisë Osmane dhe ka pasur poste të rëndësishme në vende të ndryshme, ka qenë drejtues i Turqve të Rinj, ka qenë në Parlamentin osman, ka qenë drejtues i opozitës dhe më pas ai shpalli Pavarësinë në Shqipëri. Marrim rastin e Ibrahim Temos që jetonte në Rumani. Pas rënies së Perandorisë Osmane ai shkroi kujtimet e tij, ku thoshte se atdheu i tij i madh ishte Turqia dhe se kam punuar për institucionet turke dhe shqiptare. Për të nuk kishte kontradiktë mes të qenurit shqiptar dhe pjesëtar i botës osmane.

-Debati për ndryshimin e teksteve të historisë ka nisur në Kosovë, si është situata aty?

Pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova i ka ndryshuar tekstet e historisë dhe imazhi i turqve u bë më i keq. Përse? Për shembull, lufta në Fushë-Kosovë, e cila është shumë e rëndësishme për historinë serbe, përshkruhet si luftë kundër “barbarëve turq”. Sipas tyre kjo është një luftë e zhvilluar nga shqiptarët dhe serbët së bashku, kundër pushtuesve, me ndihmën e Europës. Apo në rastin e atij që vrau sulltanin. Në tekstet kosovare thuhet se nuk dihet origjina e tij, pra lë hapësira për të menduar që ai mund të ishte shqiptar, në një kohë që ishte serb. Në tekstet e Kosovës, turqit paraqiten me ngjyrime më negative se tekstet serbe. Ndërsa pretendohet për depolitizimin e teksteve. qeveria kosovare vendos se kush do të quhet “mik” dhe kush do të quhet “armik”. Historianët mund ta shkruajnë historinë si të duan, por duhet të marrin parasysh pasojat. Nëse sot i konsiderojnë serbët si “miq” dhe turqit si “armiq”, atëherë ata humbasin mbështetjen e Turqisë. Ju e dini që Turqia është një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, si mund ta quash atë “armik”. Historikisht nuk është korrekte, sepse shumica e pashallarëve kanë qenë shqiptarë.

-Mendoni se në Kosovë kjo çështje ka marrë ngjyrime politike?

E kemi diskutuar këtë çështje në Kosovë dhe qeveria kosovare thotë: Nuk bëjmë ndryshime, sepse historia kjo ka qenë. Por, në të vërtetë nuk ka qenë kështu. Nuk po flasim për një sistem demokratik, por për një perandori, ku kishte njerëz të privilegjuar, më pak të privilegjuar, myslimanë dhe të krishterë që nuk ishin në një pozitë të mirë. Nuk ishte një vend demokratik dhe nuk mund të vlerësosh një perandori me kriteret e sotshme. Është një perandori si ajo romake apo bizantine, por nuk trajtohen njëlloj. Ne jemi viktima të historiografisë. Marrim rastin e Sami Frashërit, ai nuk ishte thjesht shqiptar, kishte kombësi shqiptare dhe osmane dhe ka ndihmuar në modernizimin e gjuhës turke. Pra, nuk ka përse ta shohim vetëm nga njëra anë.

-Përveçse keni ardhur si pjesëmarrës në konferencë, ardhja juaj ka edhe një qëllim: të bëjë një sondazh mbi imazhin e Turqisë në Shqipëri. Na thoni diçka mbi këtë projekt?

Ky është një projekt i shtrirë në 15 vende, në Rusi, Gjeorgji, Armeni, Malin e Zi, Serbi etj. Personalisht kam punuar me tekstet e Maqedonisë dhe kolegë të mitë kanë punuar mbi tekstet e Kosovës dhe Shqipërisë. Qëllimi është të bëjmë një lloj sondazhi te nxënësit mbi imazhin që ata kanë për Turqinë. Sigurisht më parë duhet të bisedojmë me Ministrinë e Arsimit për këtë çështje.

-Cilat janë rezultatet nga sondazhi në Maqedoni, duke qenë se edhe atje jetojnë një masë e mirë shqiptarësh?

Do të theksoja se nuk janë shkruar në mënyrë objektive. Në këto tekste ka pjesë të shkruara me një gjuhë shumë nacionaliste maqedonase dhe në të njëjtin tekst pjesë të shkruara në mënyrë shumë nacionaliste shqiptare. Pra, nuk ka një bashkëpunim mes historianëve shqiptarë dhe atyre maqedonas, pra nuk bëhet fjalë për multikulturalizëm, por për dy qëndrime nacionaliste në të njëjtin tekst shkollor. Nëpër tekste duhet të shkruhet se shqiptarët kanë kontribuar në Perandorinë Osmane. Do t’ju them diçka që ndoshta do t’ju provokojë, Skënderbeu ishte më pak i rëndësishëm se guvernatori më i vogël i Perandorisë Osmane në Egjipt. Ka pasur guvernatorë shumë të rëndësishëm shqiptarë, dhe pse duhet t’i injorojmë ata?! I kthehem rastit të Ismail Beut, që shpalli Pavarësinë. Përse duhet të injorojmë të shkuarën e tij?! Ai ishte i vjetër në moshë kur shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Por çfarë ka bërë ai më përpara? Pse duhet ta injorojmë jetën e shqiptarëve?! Sipas mendimit tim, shqiptarët kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm gjatë Perandorisë Osmane dhe asnjëherë tjetër në histori nuk i është dhënë një mundësi e tillë për të dominuar. Shqiptarët kishin një influencë shumë të madhe jo vetëm në Stamboll, por në të gjithë Perandorinë Osmane.

-Periudha osmane karakterizohet nga konvertimi i shqiptarëve nga feja e krishterë në atë myslimane, si e konsideroni ju këtë proces?

Kjo është një temë shumë e rëndësishme studimi. Në Shqipëri ka pasur shumë fisnikë, të cilët kanë pasur privilegje, ushtri. Që të mund të bënin karrierë, ata kanë pranuar që të konvertojnë fenë e tyre në islame. Ka qenë një zgjedhje oportuniste nga ana e tyre për të mbajtur pronat, për të pasur pushtet. Rol të madh ka luajtur edhe bektashizmi në Shqipëri, që ishte një fe më e moderuar dhe shumë shqiptarë e përqafuan atë.

-Ju thoni se ky ka qenë një proces paqësor?

Nuk ka qenë në politikën e Perandorisë Osmane të përdorte dhunën. Në ndonjë rast po, por janë të shumta arsyet e konvertimit në islamë.

Sondazh për imazhin e Turqisë

I ndodhur në Tiranë për konferencën akademike ndërkombëtare “Luftërat Ballkanike 1912-1913”, historiani Mehmet Hacisalihoglu po shfrytëzon rastin që të bëjë edhe një sondazh mbi imazhin e Turqisë në Shqipëri. Këtë do ta bëjë përmes një pyetësori, që përmban 15 pika, të cilave duhet t’u përgjigjen nxënësit e shkollave. Pyetjet janë të tipit: “Sipas jush si është shpjegimi i historisë osmane në librin tuaj të historisë?”, “Cili është përshkrimi i parë që ju vjen ndër mend kur bëhet fjalë për Republikën e Turqisë?”, “Sipas jush, shteti osman a ka bërë masakra e vrasje në vendet ku ka sunduar?” etj. Ky sondazh është pjesë e një projekti që përfshin 15 shtete, që nga Rusia, në Kosovë, Shqipëri, Serbi etj. dhe iniciohet nga Departamenti i Kërkimeve Shkencore mbi zonën e Ballkanit dhe Detit të Zi, në Universitetin Yildiz Teknik në Stamboll.

Etiketa:
Të fundit