E martë, 6 Maj 2014
Kajro, 6 maj – Kandidati për president të Egjiptit, Abdel Fattah al – Sisi, të hënën u shfaq në kanalet televizive për të përjashtuar mundësinë për pajtimin me lëvizjen e Vëllazërisë Myslimane.
Sisi, i cili rrëzoi Muhamed Mursin nga presidenca korrikun e kaluar, akuzoi Vëllazërinë për lidhje me grupet militante, duke shtuar se dy komplote për të vrarë atë janë zbuluar.
“Unë dua të ju them se nuk jam unë, ai që i dhashë fund Vëllazërisë. Ju, egjiptasit, jeni ata që i dhatë fund.”
I pyetur nëse Vëllazëria do të pushojë së ekzistuari gjatë presidencës së tij, Sisi u përgjigj: “Po. Ashtu do të jetë.”
Sisi pritet lehtë të fitojë zgjedhjet presidenciale më 26-27 maj. I vetmi kandidat tjetër është politikani majtist Hamdeen Sabahi, i cili u rendit i treti në zgjedhjet e vitit 2012, në të cilat fitoi Mursi.
Vëllazëria, grup i cili është i angazhuar në aktivitete paqësore, ka akuzuar Sisin për organizim të një grusht shteti dhe organizimin e rrëzimit të Mursit, presidentit të parë të Egjiptit të zgjedhur lirisht.
Autoritetet e mbështetura nga ushtria kanë nxjerrë jashtë ligjit Vëllazërinë, e cila fitoi të gjitha zgjedhjet pas rënies së Mubarakut. Mijëra mbështetës të saj janë arrestuar dhe mijëra janë vrarë. Udhëheqësit më të lartë, duke përfshirë Mursin, janë në gjyq.
Edhe pse Vëllazëria është nën presion të rëndë, lëvizja më e vjetër dhe më e organizuar e Egjiptit i ka mbijetuar represionit nën sundimtarë të njëpasnjëshëm, duke filluar me Gamal Abdel Nasser në vitin 1954./zhurnal/
Etiketa: Abdel Fattah al Sisi, Egjipt, Vëllazëria Muslimane