Sistemi ETIAS dhe liberalizimi i vizave për Kosovën


E premte, 14 Tetor 2022

STRASBURG – Të enjten u mbajt në Bruksel takimi i Grupit Punues, ku në rend të ditës ishte diskutimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Mbledhja ishte e mbyllur për media ndërkaq u bë e ditur se u theksua që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Propozimi u tha se është bërë nga zyrtarët francezë, ndërkaq është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

E pas përfundimit të takimit, Presidenca çeke e BE-së ka thënë se shteti i Kosovës i ka përmbushur dhe vazhdon t’i përmbushë kriteret për liberalizim të vizave.

“Më 13 tetor, Grupi Punues për vizat i Këshillit të BE-së e ka mbajtur diskutimin e parë për liberalizimin e vizave për Kosovën nën Presidencën çeke. Komisioni Evropian ka prezantuar raportin e përditësuar teknik për këtë temë i cili rikonfirmon që Kosova vazhdon të përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave.

Grupi i Punës përshëndeti gjerësisht rihapjen e diskutimit mbi subjekt dhe në përgjithësi mbështeti procesin e liberalizimit të vizave. Për të përparuar në këtë çështje do të jetë e nevojshme të sqarohen një sërë temash të lidhura dhe të vazhdohet diskutimi”, thuhet në njoftimin e Presidencës çeke, transmeton Telegrafi.

Por çfarë është EITAS, që Franca e kushtëzoi liberalizimin e vizave për Kosovën?

ETIAS do të jetë një sistem i automatizuar IT i krijuar për të identifikuar çdo risk që lidhet me një vizitor të përjashtuar nga viza që udhëton në Zonën Schengen.

Gjithë shtetasit e vendeve të treta të përjashtuar nga viza, që planifikojnë të udhëtojnë në zonën Schengen do të duhet të aplikojnë për autorizim udhëtimi përmes sistemit para udhëtimit të tyre.

Informacioni i mbledhur përmes sistemit, në respekt të plotë me të drejtat themelore dhe mbrojtjen e të dhënave do të mundësojë verifikim të avancuar të rrisqeve potenciale për sigurinë apo migrimin e parregullt.

Autorizimi ETIAS nuk është vizë. Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave sërish do të mund të udhëtojnë pa viza, por do t’u kërkohet, si kusht i detyrueshëm për hyrje në zonën Schengen, që të marrin një autorizim para udhëtimit të tyre. Me qëllim që të vendoset nëse do të jepet apo refuzohet një kërkesë për të udhëtuar në BE, sistemi do të kryejë kontrolle të mëparshme dhe do të japë apo refuzojë autorizimin e udhëtimit.

Etiketa: , , , ,

Leave a Reply

Të fundit