E mërkurë, 29 Korrik 2015
Pritej që Qeveria ta kishte në rend dite në mbledhjen e rregullt, çështjen e Gjykatës Speciale, por në fakt, kjo çështje nuk u përmend fare.
Qeveria u mor me çështje të tjera, ku aprovoi një projektligj, u dha mbështetje disa nismave për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe mori disa vendime të tjera, mes të cilëve ndarjen edhe të 450 mijë eurove për ndërtimin e tri shkollave të mesme.
Me qëllim të përmirësimit të rritjes së transparencës në fushën e auditimit, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e rregullt, i dha mbështetje Projektligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën kombëtare të auditimit. Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se ky projektligj do t’i adresojë të gjitha kërkesat që dalin nga Komisioni Evropian sa i përket fushës së auditimit.
“Projektligji synon të rris nivelin e transparencës në funksionimin e Auditorit të Përgjithshëm si dhe do të harmonizojë definicionet e vjetëruara me standardet ndërkombëtare. Në këtë kontekst edhe Raporti i Progresit 2014 ka konstatuar se Kosova duhet t’i përmirësojë këto standarde në përputhje me praktikat më të mira dhe standardet evropiane”, tha Hoti.
Hoti e prezantoi edhe vendimin për t’i rekomanduar presidentes për dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare për bashkëpunim financiar me Qeverinë Federale të Gjermanisë, të cilës kabineti qeveritar i dha mbështetje.
Qeveria aprovoi edhe projektin e dorëzuar nga Këshilli Britanik për ndarjen e mjeteve financiare prej një milion euro për sigurimin e këshillave ligjore dhe shërbimeve të ndërlidhura me diplomacinë publike, të cilën e prezantoi zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi.
“Duke aprovuar një projekt të tillë, i cili tashmë ka hyrë në vitin e tretë të implementimit, do të mundësohet përgatitja juridike dhe diplomatike sa më e mirë për aplikimin e Kosovës në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, tha Selimi.
Ekzekutivi ndërkaq ka aprovuar tri nisma për nënshkrim të marrëveshje për bashkëpunim kulturor me Italinë, Zvicrën dhe Malin e Zi. Po ashtu, ndërsa në bazë të aprovimit të Kuvendit të Kosovës gjatë rishikimit të buxhetit, Qeveria ka ndarë nga rezervat e saj 450 mijë euro për ndërtimin e tri shkollave të mesme, në Prizren, Podujevë dhe Ferizaj.