Sistemi i korruptuar i shëndetësisë kosovare


E shtunë, 11 Korrik 2015

dr corruption

Prishtinë – Probleme të shumta e kanë përcjellë shëndetësinë kosovare prej vitesh. Përveç mungesës së barnave të listës esenciale, e cila që prej pas luftës nuk ka arritur asnjëherë të përmbushet tërësisht, cilësisë së dobët të shërbimeve shëndetësore dhe mungesës së sallave të operacionit, edhe hetimet e zyrtarëve të lartë shëndetësorë, janë bërë ndër çështjet më problematike.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të hënën më 6 korrik, ka ngritur aktakuzë kundër tetë personave. Prej tyre, një ish-sekretar permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, një drejtor i Departamentit Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, një ish-menaxher i Departamentit të Prokurimit në po këtë ministri.

Të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë thotë për Radion Evropa e Lirë se pothuajse i tërë sistemi shëndetësor në Kosovë është i degraduar.

“Skandalet që kanë qenë vitet e kaluara, kanë qenë të ditura, por siç duket vetë gjykatat i kanë mbyllur rastet dhe procedurat janë si janë. Ajo që po zhvillohet kohëve të fundit, po e pasqyron realisht sistemin shëndetësor dhe medoemos gjykatat duhet ta kryejnë punën e vet ashtu si duhet. Mendoj që duhet të merren masa që jo vetëm t’i parandalojnë rastet e korrupsionit, por edhe të mos zvarriten lëndët”, thotë Syla duke përmendur edhe një shembull, që ka të bëjë me korrupsionin:

“Nëse në QKUK kemi raste të kancerit të shtuar vitet e fundit, dhe buxheti për 7 vjet ka qenë 7 milionë euro, dhe tash është planifikuar 3 milion euro dhe i mbulon 90 për qind të rasteve, kjo flet mjaft se sa skandaloze është situata. Mendoj që gjykatat duhet t’i kryejnë punët sa më shpejt, në mënyrë që paraja publike të përdoret mirë dhe drejt”.

Ndryshe sistemi i drejtësisë në Kosovë, në përgjithësi është kritikuar si një sistem i korruptuar dhe se qytetarët nuk kanë besimin e duhur në këtë sistem për shkak të mënyrës së kryerjes së veprave të ndryshme penale nga gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët shpesh është vlerësuar se nuk kanë qenë profesionalë, të paanshëm dhe të pavarur në marrjen e vendimeve dhe kryerjen e detyrave të tyre.

Për mosshqyrtimin e rasteve të dyshuara për korrupsion, sistemi i drejtësisë është kritikuar edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit dhe shoqëria civile.

Por, që të parandalohet korrupsioni në sistemin shëndetësor, udhëheqësi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla, përmend disa mekanizma, të cilët, sipas tij, do të ndihmonin në luftimin e kësaj dukurie dhe do ta kthenin besimin e humbur nga qytetarët.

“Adresimi i fenomenit të korrupsionit në sektorin e shëndetësisë është i domosdoshëm për të rikthyer besimin tek opinioni publik, për shërbimin shëndetësor. Andaj ne mendojmë që sistemi funksional i drejtësisë së një vendi, por edhe krijimi i mekanizmave llogaridhënës brenda institucioneve shëndetësore që monitorojnë në baza ditore aktivitetet e profesionistëve shëndetësorë, do të mundësonte parandalimin e korrupsionit në sistemin shëndetësor”, thekson Syla.

Ndryshe Fidan Kalaja, drejtor i programeve në organizatën joqeveritare “FOL”, vlerëson se sistemi shëndetësor prej vitesh, siç shprehet ai, është “kapur” nga disa individë.

“Sistemi i shëndetësisë ka qenë njëri nga sistemet më të okupuara dhe i kapur nga disa individë. Ata individë dhe jo nga i tërë stafi i sistemit shëndetësor, janë akuzuar dhe të njëjtit kanë kapur sistemin e shëndetësisë për një kohë të gjatë. Kjo u dëshmua edhe ditët e fundit kur ku Prokuroria e Kosovës sërish i ka akuzuar se kanë abuzuar me sistemin e shëndetësisë dhe paranë publike duke ndikuar në uljen e cilësisë së sistemit shëndetësor. Por, kjo gjithashtu ka ndikuar edhe në uljen e besimit te qytetarët e Kosovës”, shprehet Kalaja.

Ai konsideron se Prokuroria duhet të jetë më efektive në kryerjen e punëve të saj.

“Mendoj se Prokuroria duhet të jetë shumë më aktive për aferat korruptive që nga paslufta e deri më tani dhe të jetë më efektive në rastet e abuzimeve me paranë publike. Nuk duhet të lejohet që rastet e caktuara të dështojnë për shkak të mosefikasitetit të drejtësisë”, shton ai.

Korrupsioni në Kosovë mbetet njëri prej problemeve më shqetësuese në shoqërinë kosovare.

Mosmarrja e hapave të fuqishëm kundër korrupsionit, rrezikon funksionimin e shtetit të së drejtës dhe ndikon negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve, është thënë në një analizë të mëhershme të Agjencisë Kundër Korrupsionit, mbi ndjekjet dhe gjykimet që kanë të bëjnë me korrupsion. /rel/