E shtunë, 17 Qershor 2023
Editorial: Jetmir Maloku
Prizren Post – Kryeredaktor
Paqëndrueshmërisë së stabilitetit në veri të Kosovës më 14 qershor i hodhi zjarr edhe më shumë kidnapimi që forcat serbe bënë ndaj 3 policëve kufitarë të Kosovës. Ky kidnapim i stilit klasik ndodhi në territorin e Republikës së Kosovës, më gjegjësisht në lokacionin e Tresave/Bare në Leposaviq, në pjesën veriore të Kosovës.
Ky është skandali i dytë i këtij lloji që forcat serbe bëjnë ndaj autoriteteve kosovare, e para ishte në vitin 2012, kur njësitet speciale të Serbisë kishin arrestuar dy policë kufitarë të Kosovës në fshatin Dumnicë të Podujevës dhe e dyta tani më 14 qershor duke kidnapuar 3 policë kufitarë në Leposaviq.
Kësaj ngjarje Qeveria e Kosovës iu përgjigj shpejtë duke kërkuar lirim e menjëhershëm të policëve dhe duke bllokuar të gjitha hyrje-daljet kufitare me Serbinë, si dhe moslejimin e futjes së mallrave serbe në Republikën e Kosovës. Ndërsa për tu quditur ishte mos reagimi ndërkombëtar për dy ditë rresht rreth këtij skandali.
Nga një këndvështrim tjetër ky aksion shihet si një kundërveprim i forcave serbe ndaj arrestimit të kriminelit serb Millun Millenkoviq që Policia e Kosovës e bëri më 13 qershor. Millenkoviq është një nga organizatorët e sulmit që bandat kriminale serbe i bënë forcave të KFOR-it në Zveçan më 29 maj. Ai poashtu është i njohur nga Policia e Kosovës për krime të tjera penale, si sulme dhe kontrabandë.
Pas këtyre ngjarjeve disa stacione të Policisë në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut u sulmuan me shok-bomba nga strukturat paralele-kriminale serbe. Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale për të ushtruar detyrën e tyre, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Gjatë gjithë kësaj kohe është shumë i pasinqertë qëndrimi i aleatëve tanë ndërkombëtar rreth këtyre zhvillimeve. Ata po vazhdojnë të bëjnë trysni mbi kryeministrin e Kosovës për të de-eskaluar situatën në veri, me kusht që ai të lërë anash të gjitha instancat e vendosjes së rendit dhe ligjit në veri e ta formojë sa më shpejtë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe! Asociacion ky që është në kundërshtim me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Sundimi i ligjit është gjë primare për të vazhduar drejtë normalizimit të situatës në pjesën veriore të shtetit. Sipas autoriteteve të rendit, bandat kriminale serbe kanë dy opsione, të terhiqen apo të largohen në Serbi ose të përballen me drejtësinë në Kosovë.
KFOR-i nga ana tjetër po vazhdon duke i kontribuar kësaj gjendje me paqartësitë e deklaratave rreth kidnapimit të policëve kosovar. Ata njoftuan se kanë qenë në vendin e njarjes ku është bërë kidnapimi, por që nuk kishin vullnet për ta shfaqur të vërtetën, gjë kjo që tregon se anon më shumë kah ana politike e zgjidhjes, e ajo është në linjë me politikat bizare të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Roli i Borrell-it në bisedimet për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi është shumë i padrejtë. Ai vazhdon të kritikojë vetëm palën kosovare për mos zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Deri më tani ai nuk ka dënuar kidnapimin e policëve kosovar.
Etiketa: Editorial