S’ka kredi, bankat “luftë” për bono thesari


E mërkurë, 12 Qershor 2013

Qeveria kërkoi 130 milionë USD borxh, bankat ofruan më shumë se 190 milionë USD. Ankandi, interesi për borxhin e qeverisë ulet në 5.5 për qind. Interesi i bonove të thesarit me afat 12-mujor ra në 5.51 për qind.

Lufta e bankave në ankandin e fundit të qeverisë bëri që interesi për borxhin të bjerë në nivelet më të ulëta në dekadën e fundit. Qeveria kërkoi nga bankat e nivelit të dytë dhe qytetarët një shumë prej 13 miliardë lekësh, rreth 130 milionë USD. Kërkesa e bankave e tejkalojnë ndjeshëm këtë shifër, shkruan “Panorama”.

Në ankand, bankat së bashku ofruan 19 miliardë lekë, ose rreth 190 milionë USD. Nga e gjithë kjo konkurrencë, më e fituar del qeveria, që në këto momente krize të ardhurash të paktën po ul koston e financimit të deficitit. Por, e kundërta ndodh me ekonominë. Lufta e bankave për bono ka si shkak të parë uljen e kredidhënies. Kursimet dhe depozitat e qytetarëve dhe biznesit nuk po shkojnë për financimin e ekonomisë, por të qeverisë. Ulja e kreditimit bën që bankat të kenë të vetmen zgjidhje investimin në bono.

Bankat kanë më shumë se 3 vjet që kanë një sjellje negative ndaj biznesit. Normat e rritjes së kredisë kanë rënë në 1 për qind, duke sjellë një stanjacion të ekonomisë dhe uljen e investimeve private. Kjo bën që i vetmi instrument për zhvillimin e ekonomisë me anë të investimeve të jetë buxheti, dhe jo biznesi. Është lehtësisht e kuptueshme që investimet e qeverisë janë më pak produktive sesa ato të biznesit. Por, bankat janë 100% të sigurta se investimi në bono është i kthyeshëm totalisht, ndërsa në momente krize, biznesi është më pak i besueshëm. Interesit të qeverisë për uljen e normave të bonove duket se i ka shërbyer edhe politika e Bankës së Shqipërisë.

Edhe pse banka është mundur të shpjegojë uljen e normës bazë të interesit, si një instrument për uljen e kostove të kredisë, veprimet e saj i kanë shërbyer vetëm qeverisë. Interesi i kredisë në lekë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011, ndërkohë që interesi i lekut është ulur në 3.75 për qind. Një rekord ky për ekonominë shqiptare. Vetë guvernatori ka pranuar se ulja e normës bazë të interesit nuk u ka dhënë shtysë bankave për të lehtësuar koston e kredive. Por, nga ana tjetër, sërish duket se banka nuk është dorëzuar. Në daljen e fundit publike, Fullani nënkuptoi se shumë shpejt mund të merret një tjetër vendim për uljen, në të paktën 3.5% të normës bazë të interesit. Kjo, si një shpresë që politika të transmetohet te bankat edhe në uljen e kostove të kredisë.

Etiketa: ,
Të fundit