Skandali i radhës në Maqedoni: Shqiptarët krahasohen me afro-amerikanët


E shtunë, 19 Dhjetor 2015

Shkup – 19 dhjetor – Revista “Republika” e cila është përkrahëse e politikave të Nikolla Gruevskit dhe partisë së tij në pushtet, VMRO-DPMNE vazhdon me tekste anti-shqiptare. Ajo kësaj here, përmes kolumnistit të saj të rregullt Goran Momirovski hedh teza anti-shqiptare në prag të futjes në vitin 2016.

Momirovski , përmend diskriminimin, që sipas tij, i bëhet bashkësisë etnike rome dhe bashkësive etnike tjera në komunat me të cilat udhëheqin shqiptarët. Logjika e këtij teksti shkon deri aty që për asgjë nuk kanë faj maqedonasit në këtë vend, ndërsa ‘shqiptarët janë zotërinj të Republikës së Maqedonisë e ku maqedonasit punojnë si argat të tyre’.

“Shqiptarët do të zhgënjehen nga tezat që janë bazë për miratimin e një marrëveshje të re. pasi që, ato janë grupet e vetme etnike që duhet të bëjnë kompromiset më të mëdha në pajtueshmëri me paragrafët e kornizës së re në të cilën do të lëviz Maqedonia.
Ato duhet që njëherë e përgjithmonë të vendosin nëse në Maqedoni do të sillen si mysafir kur duhet fituar diçka dhe si nikoqir kur duhet që të jepet.

Nëse duan që të marrin diçka gjithmonë duhet që të kërkojnë diçka që janë në gjendje edhe ato të japin ndaj atyre që do të kërkojnë prej tyre. Nuk mundet që në komunat ku pushteti lokal është në duart e partive shqiptare të mos ketë asnjë të punësuar rom, edhe pse askush prej neve nuk ka dilema se bashkësia etnike rome është më e prapambetura sipas të gjitha parametrave social dhe ekonomik.

Për maqedonasit e përjashtuar nga puna as që duhet të flitet. Nuk mundet që shqiptarët t`i injorojnë maqedonasit, turqit, serbët, vllahët, boshnjakët, romët dhe të gjitha bashkësitë tjera etnike kur mund ta bëjnë këtë gjë dhe ta shfrytëzojnë secilën mundësi që të ankohen se janë të diskriminuar, më shpesh prej maqedonasve”, shkroi Goran Momirovski, transmeton zhurnal.mk
Momirovski bën krahasimin midis shqiptarëve dhe afro-amerikanëve duke i cilësuar si të njëjtë. Sipas tij, shqiptarët nuk duhet që të përmendin kohën e komunizmit, pasi që tani nuk ekziston më ajo kohë, dhe jo të sillen njëjtë si afro-amerikanët ndaj diskriminimit të tyre në Amerikë.
“Shqiptarët duhet që të kuptojnë se nuk munden që frustracionin e tyre nga diskriminimi në kohën e komunizmit dhe në vitet e para të pavarësisë ta paraqesin si të përhershëm edhe kur ka dhe nuk ka nevojë për të.

Është e pakontestuar se edhe në rastin e Afro-amerikanëve në SHBA do të duhet që të kalohet kohë në të cilën të diskriminuarit do të nisin të ndjehen si të barabartë, por ajo periudhë nuk mundet që të jetë gjysmë shekulli.

Shqiptarët, të cilët deri më tani më së paku tre herë treguan se janë të përgatitur që me armë ta shndërrojnë Maqedoninë në një vend se si duan ato, do të duhet që të vendosin se deri kur arma do të jetë alternativë për proceset e tyre politike dhe sociale.

Ai vendim nuk është i lehtë, por duhet që të merret. Është më pak me rëndësi nëse do të shënohet si vazhdim i Kongresit të Prizrenit, ose si marrëveshje midis shqiptarëve, ose si marrëveshje me maqedonasit” , shkroi Goran Momirovski, transmeton zhurnal.mk.

Etiketa: ,
Të fundit