Skandaloze: Milan Zdravkovic do të jetë ministër i Shtetit


E premte, 27 Shtator 2013

Ministria e Shtetit, e cila pritet të themelohet nga Qeveria e Kosovës, do të drejtohet nga Milan Zdravkovic, 33 vjeçar nga Ranillugu. Kryeministri Thaçi thuhet se ka bërë gati vendimin dhe ka mbetur vetëm ta nënshkruajë atë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të marrë vendim për themelimin e një Ministrie të re – Ministrisë së Shtetit, në kuadër të Qeverisë që ai udhëheq.

Ministria e Shtetit, siç bëjnë të ditur burime të lajmi.net, do të drejtohet nga Milan Zdravkovic.

Zdravkovic, 33 vjeçar nga Ranillugu, është magjistër i elektroteknikës, i diplomuar në Beograd në vitin 2007.

Ministria e Shtetit, sipas legjislacionit në fuqi, konsiderohet si Ministri pa Portofol në Qeverinë e Kosovës.

Kjo Ministri do jetë përgjegjëse për rini, inovacion dhe mundësi të barabarta.

Thuhet se fusha e përgjegjësisë dhe detyrat e Ministrit të Shtetit do të përcaktohen me ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit, Rregullores 16/2013 për strukturën organizative të Zyrës së Kryeministrit dhe legjislacionit tjetër në fuqi.