E enjte, 12 Qershor 2025
Pavarësisht rezistencës së Sllovakisë ndaj paketës së re të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz shpreson, që 27 kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të BE-së javën e ardhshme do ta miratojnë paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë të propozuar nga Komisioni i BE-së.
“Nëse gjithçka ecën sipas planit, atëherë javën e ardhshme do të jetë vendosur”, tha Merz. Edhe në Uashington po bëhen përgatitje për masa të mundshme të kongresit dhe administratës kundër Rusisë.
I pyetur, lidhur me rezistencën e Sllovakisë, Merz tha, se komisioni i përfaqësuesve të përhershëm në Bruksel javën e ardhshme do të negociojë për herë të parë lidhur me paketën e sanksioneve.
“Nëse do të jetë e nevojshme ne do të duhet të bisedojmë edhe njëherë në Këshillin Europian. Por ndoshta që javën e ardhshme do të ketë një marrëveshje.”
Sllovakia refuzon paketën e re të sanksioneve të BE-së
Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico i kundërshton sanksionet e reja të planifikuara nga BE-ja kundër Rusisë në formën aktuale. “Sllovakia nuk do ta mbështesë paketën e 18 të sanksioneve kundër Rusisë, nëse Komisioni i BE-së nuk parashtron një zgjidhje të vërtetë për situatën e krizës, në të cilën ndodhet Sllovakia pas ndërperjes së furnizimeve me gaz, naftë dhe lëndë djegëse bërthamore nga Rusia”, shkruan Fico në Facebook.