E mërkurë, 6 Qershor 2018 
Prishtinë – Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, e quajti të vonshme çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, pasi që tha se është dashur të ndodhë para dy vitesh.
Sholtes këtë deklaratë e bëri të ditur në një konferencë për media, ku tha se shpreson që deri në fund të këtij viti do të ndodh liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
“E kuptojmë që ka pritje të mëdha nga qytetarët e Kosovës për liberalizmin e vizave pas ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Liberalizimi i vizave realisht është shumë vonë por mos e fajësoni Bashkimin Evropian. Po bëjmë më të mirën nga ana jonë në Parlamentin Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave. Shpresoj që rekomandimet nga Komisioni Evropian do të jenë pozitive. Kjo do të jetë njëkohësisht një mesazh shumë i rëndësishëm sa i përket Komisionit Evropian, për të dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave. Sinqerisht shpresoj që vërtetë do të ndodh në fund të këtij viti”, ka thënë Sholtes.
Etiketa: Igor Šoltes, Kosova, Liberalizimi