Sot e nesër në Durrës, takimi i presidentëve të rajonit


E hënë, 16 Shtator 2013

Durrës, 16 shtator – Në Durrës sot nis takimi dyditësh rajonal i presidentëve të katër vendeve të Ballkanit – Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës e Malit të Zi.

Në këtë takim sot udhëton për në Shqipëri, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Po ashtu pritet të udhëtojnë për në Durrës edhe presidentët e vendeve të tjera pjesëmarrëse të takimit.

Takimet e përvitshme jozyrtare të katër presidenteve të vendeve të rajonit, një nismë e ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi, e cila filloi udhëtimin në Vlorë më 23-24 qershor 2009, vijoi në Prizren më 26-27 qershor 2010, më tej në Ohër më 11-12 korrik 2011, dhe takimi më i fundit u mbajt në Budva, më 4-5 dhjetor 2012.

Ndër të tjera, synimi i këtyre takimeve është gjetja dhe shfrytëzimi i mëtejshëm i fushave me interes të përbashkët që çojnë drejt forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe nxitjes së bashkëpunimit rajonal midis vendeve tona. Ky bashkëpunim është një mekanizëm thelbësor që ndikon pozitivisht në përmbushjen e aspiratës se përbashkët eurointegruese të vendeve tona.

Këto takime dëshmojnë për lidhjet e ngushta midis vendeve tona dhe për kontributin personal të Presidentëve për konsolidimin e tyre dhe për nxitjen e përmbushjes së objektivave tona strategjike.

Në një kumtesë të Presidencës së Shqipërisë, nikoqire e këtij takimi, ndër të tjera shprehet dëshira që bashkëpunimi rajonal të shkojë përtej shprehjes së vullnetit politik të fqinjësisë së mirë dhe të marrë kuptim nëpërmjet përpjekjeve për krijimin e një infrastrukture të përbashkët rajonale, kapërcimin e barrierave historiko-politike, lëvizjes së lirë të njerëzve, rritjes së shkëmbimeve, njohjes më mirë të kulturës, traditave e zakoneve të popujve tanë dhe angazhimit të përbashkët në ndryshimin e imazhit të rajonit, për ta bërë atë një treg tërheqës e konkurrues, dhe të gatshëm për t’u bërë denjësisht pjesë e familjes evropiane.

Tematika kryesore, rreth së cilës do të diskutohet në këtë Samit të pestë të radhës është: “Përqasje për shfrytëzimin praktik të mundësive për bashkëpunim rajonal më efikas”.

Ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që mirëkoordinimi i politikave tona për çështje të interesit të përbashkët politik, ekonomik, rajonal, ka një rëndësi shumë të madhe për mirëqenien e vendeve e popujve tanë dhe veçanërisht për sigurinë e rajonit tonë dhe paqen e stabilitetin e tij.

Në këtë nivel të marrëdhënieve midis vendeve të rajonit tonë, merr një rëndësi shumë të madhe gjetja e qasjeve të reja për shfrytëzimin e potencialeve të bashkëpunimit, dhe, veçanërisht, konkretizimi i shpejtë i tyre në praktikë.

Në takimin e fundit në Budva, ne ramë dakord se prania e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës në këtë Samit të radhës do të zgjerojë jo vetëm hapësirën gjeografike të tij, por do të rrisë dimensionet e bashkëpunimit, si dhe do të na mundësojë të kontribuojmë që ky takim i radhës, dhe ata që do të vijojnë, t`i japin një impakt shumë të rëndësishëm stabilitetit, paqes e bashkëpunimit rajonal.

Ne mirëpresim përzemërsisht miqtë tanë në Samitin e radhës në Durrës, më 16-17 shtator 2013, i cili besojmë se do të përbëjë një mundësi për të ndarë bashkërisht ide dhe mendime që do të nxisin forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të gjithanshme midis vendeve tona dhe lidhjet historike që bashkojnë popujt tanë.

Etiketa: ,
Të fundit