Sot Prishtina përballet me Sivassporin nga Turqia


E shtunë, 6 Shtator 2014

Gjithçka tashmë është gati për miqësoren ndërkombëtare ndërmjet Prishtinës dhe Sivassporit të Turqisë.

Tifozët e shumtë të futbollit sot pasdite do t’ia mësynë “tempullit” te futbollit, stadiumit te qytetit, e që për 90 minuta pritet të jetë arenën e bukur sportive.

Klubi më i trofeshëm në vendin tonë, do të sprovojë forcat me Sivasporin e cila drejtohet nga ikona e futbollit brazilian, Roberto Carlos.

Prishtina do të luajë për herë të parë një ndeshje ndërkombëtare nën monitorimin e UEFA-së dhe FIFA-së.

Tashmë krerët e klubit prishtinas bashkë me organizatorin e kësaj ndeshje, KD Events, kanë kryer gjitha përgatitjet e duhura për këtë ndeshje të madh, e cila pritet të mbush tribunat e stadiumit të qytetit.

Sivasspori dje ka zbritur në kryeqytetin e Kosovës, dhe janë të gatshëm për ballafaqimin me ekipin “bardhekaltër”.

Trajneri i Prishtinës, Bylbyl Sokoli dhe homologu i tij nga ekipi turk, ikona braziliane, Roberto Carlos, kanë paralajmëruar se do të luajnë për fitore, pavarësisht se kjo është një lojë miqësore, por edhe vëllazërore.

Ish ylli i Real Madridit, që tani drejton ekipin turk Sivaspor, Roberto Carlos duke folur për përballjen me Prishtinën, tha se populli i Kosovës ka nevojë për këtë lojë dhe se ka me qenë një lojë e mirë ndërmjet Prishtinës dhe Sivasporit.

Ai shpreson se për të gjitha ata shikues që do të vijnë në stadiumin e Prishtinës, për ta përcjell lojën do të ketë shumë gola. Megjithatë, Carlos thekson se gjithmonë në lojë hynë me ambicie për të fituar ndeshjen.

“Unë mendoj së ndeshja e parë mes Sivasporit dhe Prishtinës që do ta zhvillojmë, në karrierën time kam shumë ndeshje, dhe gjithnjë kam hyrë vetëm për ta fituar lojën. Meqë loja është miqësore do të jetë një ndeshje e mirë dhe me shumë gola”, tha Carlos.

E, trajneri i Prishtinës, Bylbyl Sokoli tha se takimi mes Prishtinës dhe Sivasporit është një takim i karakterit miqësor, por para së gjithash vëllazëror dhe me në këtë drejtim ata e kanë përgatitur ekipin që sa më mirë të prezantohen para së gjithash para publikut kosovarë dhe njëkohësisht ta sensibilizojnë gjendjen në sportin e Kosovës, gjegjësisht në futbollin e Kosovës.

“Besoj se Prishtina do të jetë ekipi që do të tregoj se përpos respektit dhe përveç asaj që quhet fer play, do të mundohemi që në aspektin taktiko-teknik t’i tregojmë vlerat tona që vërtetë janë edhe tradicionale, edhe për kundër shumë pengesave që kemi në prezantimin ndërkombëtarë. Ju e dini që na mungon ajo përvoja ndërkombëtare, por besoj që në takimin e nesërm do të tregojmë se e kemi vendin në arenën ndërkombëtare dhe garat ndërkombëtare”, ka thënë Sokoli.

Ndryshe, të përzgjedhurit e Bylbyl Sokolit, si asnjë herë më parë janë të motivuar që të tregojnë performacën më të mirë të mundshme përballë një skuadre të madhe turke, Sivasspor.

Sipas organizatorëve të kësaj ngjarje të madhe sportive, dyert e stadiumit do të hapën në orën 15:00, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për super-spektaklin e kësaj miqësore.

Ndërkaq, për atmosferën në stadium do të përkujdesën kush tjetër përveç tifozëve të njohur “Plisave”.

Ata kanë premtuar se do të krijojnë një atmosferë që do ta bëjë madhështore këtë ndeshje të shumëpritur.

“Besoj se atmosfera do të jetë e mirë. Nuk kemi përgatitur diçka të veçantë, por jam i bindur se do të krijohet një atmosferë e bukur sportive, e që do ta bën këtë ndeshje edhe madhështorë”, i ka thënë KosovaPress-it, kryetari i “Plisave”, Albert Kastrati.

Miqësorja mes Prishtinës dhe Sivassporit nis në orën 17:00./rtk/

Etiketa: ,
Të fundit