E premte, 26 Gusht 2022
PRISHTINE – Prej sot pritet të ketë përmirësim të reduktimeve të rrymës. Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
Sipas tij, ky përmirësim i furnizimit me energji elektrike vjen në bazë të informatave që kanë nga KEK-u, si rezultat i rikthimit nga remonti të njësisë B2 të Termostatit Kosova B.
“Kufizimet e energjisë elektrike janë vazhdimisht që nga e hëna e kaluar deri sot, kanë qenë rreth dy orë… Presim që të ketë përmirësim pasi që… në bazë të informatave që kemi nga KEK-u pritet të rikthehet nga planifikimi mirëmbajtja e planifikuar vjetore, njësia B2 e Termostatit Kosova B dhe do ta stabilizojë mjaftë situatën”, thotë ai.
Buzhala thotë se aplikacioni eKesco është ndër më të suksesshmit për tu informuar qytetarët për reduktimet.
“I vetmi aplikacion automatik është eKesco, ne jemi në botën e aplikacioneve. Secili qytetar ka qasje në internet. Penetrimi në internet në Kosovë është gati qind për qind, d.m.th. është gjendur zgjidhja më e mirë për t’i njoftuar secilin qytetar individualisht për pikën matëse aty ku është rezident. Pra, aplikacioni eKesco në këtë rast që është ndër më të suksesshmit në Kosovë sa i përket kompanive elektro-energjetike edhe në rajon është metoda më efikase. Qytetarët e Kosovës e kuptojnë menjëherë me disa klikime përmes hartës secilën lëvizje që kanë sa i përket distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike”, thotë ai.
Etiketa: energjia, keds, Kosovë