E enjte, 7 Gusht 2014
Rashkë – Kërkimet për mbetjet mortore në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi do të rifillojnë sot.
Këto punime u ndërprenë nga pala serbe muajin e kaluar, me arsyetimin se nuk kanë fonde të mjaftueshme.
Këtë e ka konfirmuar në një intervistë të para një dite për KosovaPress, kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj.
Ai në këtë intervistë ka folur edhe për vështirësitë që po hasin në raport me palën serbe lidhur me një marrëveshje të re në të cilën do të këtë ndryshime sa i përket pranim-dorëzimit të mbetjeve mortore.
Por, zotohet se nuk do të lejojnë që kjo marrëveshje të pengojë procesin e gërmimeve.
Gjetaj ka pohuar se punimet e ndërprera një muaj më parë kanë qenë të pa arsyeshme dhe se pala serbe është treguar e papërgjegjshme.
Ai madje ka thënë se nëse pala kosovare nuk do të reagonte në këtë mënyrë, punimet me siguri nuk do të rifillonin as këtë javë.
“Po të mos kishim reaguar me thirrjen e grupit punues në mënyrë urgjente, add-hoc, vetëm për këtë çështje, sigurisht që edhe kjo javë do të shkonte. Kështu që më në fund tashmë kemi konfirmimin që të enjten rifillojnë punimet në lokacionin e dyshuar si varrezë masive të shënuar si lokacioni numër 3, pasi që numri 1 ose 2 janë vlerësuar”, ka thënë Gjetaj. /KP/
Etiketa: Kosovë, Rudnicë, Serbi, Shqiptarët, te pagjeturit