E enjte, 21 Gusht 2014
Në Gjykatën Kushtetuese sot mbahet seancë dëgjimore ku PDK dhe blloku i partive LDK, AAK dhe Nisma, të përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje, do të ballafaqojnë argumentet dhe kundër-argumentet e tyre.
Seanca dëgjimore është thirrur duke u bazuar në kërkesën e PDK-së në lidhje me kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit në seancën e parë konstituive më 17 korrik. Në bazë të kësaj kërkese, Kushtetuesja më pas kishte pezulluar postin e kryetarit të Kuvendit, që mbante lideri i LDK-së, Isa Mustafa, deri në marrjen e vendimit përfundimtar. PDK si përfaqësues të sajin në këtë përballje ka caktuar profesorin e të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami. Derisa partnerët e bllokut LDK-AAK-Nisma, ditë më parë kanë bërë të ditur se në përballjen në Gjykatën Kushtetuese, do të përfaqësohen nga deputetja Vjosa Osmani. Kurse, Lëvizja Vetëvendosje, do të përfaqësohet nga deputetja Albulena Haxhiu dhe këshilltari ligjor i Lëvizjes VV Armend Shkoza. Sipas pozicioneve të njohura tashmë, PDK-ja pritet ta konsiderojë jo kushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës në seancën e 17 korrikut, duke pretenduar se vetëm kjo parti politike mund të ketë kryetarin e Kuvendit.
Kurse, blloku LDK, AAK dhe Nisma do të mbrojë votimin për Mustafën në seancën e 17 korrikut dhe do të kërkojë që të vazhdojë puna e nisur e Kuvendit dhe zgjedhja e të gjitha organeve të reja.
Pas dëgjimit të palëve, përkatësisht PDK-së në njërën anë dhe bllokut LDK, AAK dhe Nisma në anën tjetër, paneli i gjyqtarëve do të mblidhet për komentet përfundimtare dhe më pas do të marrë vendimin me anë të votimit të fshehtë, më së voni deri më 18 shtator.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pritet të qartësojë situatën dhe të nxjerrë vendin nga ngërçi politik, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit. Por nuk përjashtohet edhe mundësia që vendi të dërgohet në zgjedhje të reja të parakohshme./rtk/
Etiketa: Gjykata Kushtetuese, Kosovë