E martë, 12 Prill 2022
LUGISHTË E HASIT – Lugishta e Hasit sot përkujtoi 14 dëshmorët dhe 40 martirët që ranë për lirinë së Kosovës.
Familjarët e dëshmorëve dhe martirëve të këtij fshati të marten në mesditë përkujtuan më të dashurit e tyre, të cilët u vranë dhe u masakruan nga okupatori i egër serb para 23 viteve.
Në atë kohë, Lugishta ishte shëndrruar në vend të besës, bukës dhe pushkës për çlirimtarët tanë të UÇK-së. Një ndjesi se çfarë përjetoi ky fshat me 12 prill 1999 e shpalosi para të pranishmëve në këtë tubim përkujtimor, një nga aktivistët e këtij vendi, z. Kemajl Gegollaj.
I pranishëm në këtë aktivitet përkujtimor ishte edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Shaqir Totaj, i cili në fjalimin e tij e vlerësoi si të jashtëzakonshme sakrificën e lugishtasëve në shërbim të çlirimit të vendit, për të cilin qëllim edhe u flijuan e martirizuan dhjetëra dëshmorë e martirë.
Ndërsa përfaqësuesi i fshatit, z. Bekim Nerjovaj, tha se ky fshat ende i përkujton më të dashurit e tyre me dhimbje dhe plotë krenari, po i kujton bijtë e saj të shtrenjtë, gjaku i të cilëve mbolli lirinë e Kosovës.
Në emër të organizatave të luftës së UÇK-së, kanë folur edhe z. Faton Klinaku dhe z. Xhevdet Thaçi, të cilët porositën gjeneratat e reja që të mësojnë dhe kujtojnë më shumë rreth historisë së lavdishme që solli lirinë e shumëpritur të popullit tonë.
Pas ceremonisë, janë bërë homazhe dhe janë vendosur lule në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve të Lugishtës nga pjesëmarrësit e këtij tubimi përkujtimor.
Etiketa: Aktuale, Krimet serbe, Lugishtë e Hasit, Pervjetori, Prizren, UÇK