Spahiu: Kosova s’duhet të luajë me zjarrin, koha për Qeveri Teknike


E martë, 13 Tetor 2015

Pas arrestimit të deputetit, Albin Kurti situata e mbrëmshme në Prishtinë kishte dalë jashtë kontrollit ku pati edhe konfrontime mes policisë dhe qindra protestuesve. Këta të fundit bashkë me disa deputetë të opozitës u tubuan para stacionit policor në Prishtinë duke kërkuar lirimin e ish-kreut të Vetëvendosjes.

Protestuesit i vunë flakën edhe disa veturave para objektit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Për këtë situatë analisti Nexhmedin Spahiu thotë se po ndodh si pasojë e injorimit të opozitës nga pozita. “Opozita është e poshtëruar nga ana e pushtetit me sjelljet e saj”.

Madje ai ka bërë edhe një krahasim mes dialogut në Bruksel me bisedimet e dikurshme në Vjenë.

“Çështje të rëndësishme janë diskutuar dikur në Vjenë dhe Ibrahim Rugova kishte mbledhur liderët duke formuar ekipin e unitetit”.

“Opozita që atëherë ishte partia ORA dhe PDK kishin marrë pjesë duke dërguar procesin deri në fund, proces më shumë të meta dhe mangësi por që ishte dërguar deri në fund”.

“Tani po diskutohet e njëjta gjë në Bruksel ku po bisedohet rreth fatit të Kosovës dhe opozita është tërësisht e injoruar, e poshtëruar”.

“Andaj edhe sjelljet e saj janë sjelljet e një pakice politike të dëshpëruar e cila mendon që e ka shumicën reale pas vetes”.

Megjithatë Spahiu thotë së pavarësisht kësaj, veprimet e opozitës nuk arsyetohen por duhet parë kush po i bën më shumë dëm vendit.

“Në çdo situatë krize, gjendja është e pakënaqshme…Ai që po dëmton më shumë vendin është pushteti sado që veprimet e opozitës janë të këqija”.

Analisti politik potencon se veprimi që e solli këtë situatë – arrestimi i Albin Kurtit – nuk mund të vlerësohet si i drejtë ose i padrejtë.

“Nuk e di a është e drejtë apo jo, e mbrapshta ka marrë rrugë moti”. “Diskutimi i të drejtës apo të padrejtës është nonsens kur jemi në situatë ku rrezikojmë konflikt të thellë mes klasës politike dhe zgjerimit edhe më tutje në shoqëri”.

“Liderët politikë të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje që do ta qetësonte situatën dhe jo të kundërtën, arrestimi i Albin Kurtit”.

Por ai thotë se arrestimi i Kurtit ishte i pamend pasi kjo nxit eskalimin e mëtutjeshëm të situatës.

Spahiu është shprehur se duhet marrë parasysh edhe profilin politik të ish ushtarakëve që janë pjesë e opozitës që është profil luftarak gjë që kjo përbën rrezikshmëri të lartë për konflikt.

“Kosova nuk duhet të luajë me zjarrin”.

Sipas tij, zgjidhja e vetme në këtë moment është krijimi i një Qeverie Teknike.

“Nuk ka zgjidhje tjetër pos krijimit të Qeverisë Teknike gjithëpërfshirëse ku përfshihen të gjitha partitë që janë në Parlament në mënyrë që të ulen gjakrat dhe të mendohet për më tutje”.

“Çdo vazhdim i situatës së tashme sjell prodhim të konfliktit”, njofton Klan Kosova.

Leave a Reply

Të fundit