Spanja kundër kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në BE


E martë, 20 Dhjetor 2022

MADRID – ”Spanja nuk e njeh Kosovën, prandaj do të votojë kundër çdo vendimi procedural dhe dhënies së statusit kandidat të Kosovës”, ka thënë Pascual Navarro përfaqësues i Spanjës për Bashkimin Europian, gjatë paraqitjes së tij para Komisionit të Përbashkët për BE, të mbajtur në Senat.

Tutje ai ka shpjeguar se pasi Kosova të ketë dorëzuar zyrtarisht kërkesën e saj për anëtarësim në Presidencën aktuale, në këtë rast Republikën Çeke, duhet të merret një “vendim procedural”, të cilin supozohet se Suedia do ta miratojë që nga janari si Presidencë e re.

Gjëja normale, vazhdoi ai, është që të kërkohet mendimi i Komisionit Europian dhe më pas të debatohet për këtë çështje në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme dhe në fund të vendosin liderët evropianë në Këshillin Europian.

“Qeveria nuk do të mbështesë kandidaturën në rrethanat aktuale dhe ky qëndrim nuk ka ndryshuar”, theksoi Sekretari i Shtetit të Spanjës për Bashkim Europian.

Spanja është një nga pesë vendet e BE-së, së bashku me Greqinë, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë, që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Navarro ka theksuar se Qeveria e Spanjës “ka qëndrim konstruktiv” në lidhje me Ballkanin Perëndimor, mbështetë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe ndërmjetësimin e BE-së dhe së fundi mbështet liberalizimin e vizave me Kosovën që edhe pse e cilëson se “është jo një shtet, është një territor me të cilin BE ka marrëdhënie”.

Etiketa: , , , ,
Të fundit