E hënë, 14 Korrik 2025
Në Tiranë është prezantuar vëllimi i dytë i “Udhërrëfyesit të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë”, transmeton Anadolu.
Ky botim përmbledh standardet në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese që prej vitit 1992, sa i takon parimeve të së drejtës, ndarjes së pushteteve si dhe të drejtave kushtetuese substanciale.
Në aktivitetit ishte e pranishme edhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila në fjalën e saj tha se Shqipëria ndodhet sot në një moment shumë të rëndësishëm historik në rrugëtimin drejt forcimit të institucioneve demokratike, anëtarësimit në familjen evropiane dhe rritjen e prestigjit ndërkombëtar.
“Vëllimi i dytë i udhërrëfyesit të jurisprudencës të Gjykatës Kushtetuese është një dokument i rëndësishëm me vlera njohëse për konsistencën e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, përmbajtjen dhe cilësinë e vendimeve të saj si dhe me dobi praktike për çështje të shqyrtuara e të pasqyruara në të. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë edhe një kontribut drejt forcimit të shtetit të së drejtës në tërësi”, tha ajo.
Spiropali theksoi se për Kuvendin e Shqipërisë, ky udhërrëfyes shërben si një mjet i vlefshëm për të garantuar përputhshmërinë e legjislacionit me Kushtetutën dhe për të forcuar rolin mbikëqyrës të tij në një sistem demokratik.
Ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Ulsi Manja, tha se takimi i sotëm është një moment reflektimi mbi rrugëtimin për ndërtimin e një shteti të së drejtës funksional dhe të qëndrueshëm, sipas tij ku parimet kushtetuese nuk mbeten vetëm në letër, por zbatohen në çdo hap të jetës institucionale dhe shoqërore.
“Publikimi i këtij vëllimi të ri është një hap domethënës për përmirësimin e kulturës juridike në vend. Ai ofron një pasqyrë të qartë dhe të sistemuar të praktikës kushtetuese, duke shërbyer si një mjet i vyer jo vetëm për juristët, akademikët dhe studentët, por edhe për çdo qytetar që dëshiron të njohë më mirë të drejtat dhe liritë e tij”, tha Manja.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Holta Zaçaj, u shpreh se botimi në fjalë një instrument gjithëpërfshirës që konsolidon jurisprudencën e Gjykatës që nga krijimi i saj në vitin 1992.
Udhërrëfyesi është shumë më tepër se një botim: është i pari i këtij lloji që organizon në mënyrë sistematike vendimet e Gjykatës, duke përfshirë gjithçka: nga parimet themelore kushtetuese, liritë dhe të drejtat e njeriut, organizmin, funksionimin dhe parimet mbi të cilat ushtrojnë veprimtarinë institucionet shtetërore, në këndvështrim të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke siguruar transparencë e akses në drejtësinë kushtetuese, si dhe duke ofruar një mjet të nevojshëm për të kuptuar evolucionin e saj në Shqipëri.
Ndërkohë, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, theksoi se ky botim përfaqëson kodifikimin e parë formal të jurisprudencës kushtetuese në Shqipëri.
Sipas Gjykatës Kushtetutës të Shqipërisë, vëllimi i ri ndjek dhe plotëson udhërrëfyesin e parë të Gjykatës të botuar në vitin 2024. Vëllimi i dytë i udhërrëfyesit, në pjesën a parë të tij përmbledh vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me parimet e përgjithshme të të drejtave dhe lirive themelore si dhe vendimmarrjen mbi të drejtat substanciale. Në pjesën e dytë ai paraqet standardet në jurisprudencën e Gjykatës mbi ndarjen e pushteteve si dhe mbi organizimin e funksionimin e organeve kushtetuese.