Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Statistikat, një në dy persona në rajon i papunësuar

Prizren Post | 22:05 - 24.10.2015

SARAJEVË – Të dhënat e fundit statistikore tregojnë se një në dy persona në Ballkan të moshësh 18 deri 24 vjeçare është i papunësuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Të dhënat statistikore për vitin 2015 tregojnë se papunësia në mesin e të rinjve në rajon është më e madhe në Bosnjë e Hercegovinë me rreth 57,9 për qind.

Situata nuk është e mirë as në vendet e tjera të rajonit ku mesatarisht një në dy persona janë pa punë.

Kur është fjala për vendet e tjera të rajonit, Maqedonia ndodhet e dyta, ndërsa shkalla e papunësisë në mesin e të rinjve në atë vend aktualisht është rreth 53 për qind.

Të dhënat e Eurostatit tregojnë se Kroacia gjithashtu ndodhet në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian me shkallën më të lartë të papunësisë në mesin e të rinjve e cila është 43,1 për qind.

Gjithashtu, një në çdo dy persona në Malin e Zi të moshësh 18 deri 24 vjeçare nuk ka punë dhe veçanërisht brengoz fakti për rritjen e të papunësuarve me diplomë universitare. Në këtë vend shkalla e papunësisë së të rinjve është 45,3 për qind.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara në tetor të këtij viti, shkalla e papunësisë së të rinjve në Serbi është 43 për qind, ndërsa sipas raportit të INSTAT të publikuar për vitin 2014, shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç në Shqipëri është 32,5 për qind.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore 2014” në Kosovë ku sipas rezultateve të anketës në mesin e personave të moshës 15-24 vjeçare, të papunësuar janë 61 për qind.

– Në Gjermani një në çdo 12 persona nën moshën 25 vjeçare pa punë –

Në anën tjetër, në nivelin evropian, shkalla e papunësisë së të rinjve është 22,3 për qind. Në Bashkimin Evropian shkalla e papunësisë tek personat nën moshën 25 vjeçare është 21,9 përqind, ndërsa më e lartaa është në Greqi me rreth 51,8 për qind dhe në Spanjë me rreth 48,6 për qind e të papunësuarve të rinj. Sipas të dhënave zyrtare Gjermania ka shkallën më të ulët të papunësisë në mesin e personave të rinj, dhe atë 7,8 për qind, ndërsa atë e pason Austria me 9,3 për qind.


Etiketa:
Arivisti Company