E diel, 7 Dhjetor 2014
Sipas tij, Shqipëria e Serbia e kanë lehtë të bien dakord.
Ish-kryenegociatori i Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanoviq, ka komentuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, thotë se vizita në Beograd e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, përfundoi në një atmosferë të keqe.
“Ai zgjodhi shembullin më të keq të asaj që është mëse e ditur, pra që Shqipëria mbështet pavarësinë e Kosovës dhe inkurajon vendet e tjera që të bëjnë të njëjtën gjë. Pra, nëse më lejohet, Rama mund të kishte thënë ‘qëndrimi ynë për Kosovën është i njohur dhe ne besojmë që Kosova është një shtet i pavarur’, -dhe do të mjaftonte kaq. Por, ai shkoi përtej duke thënë se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe këtë realitet që ajo është një shtet i pavarur. Pra, pati disa skaje të vrazhda në këtë bashkëbisedim dhe kjo u pa qartë. Nga ana tjetër edhe kryeministri ynë u përgjigj me shumë emocione dhe në mënyrë të nervozuar, çka gjithashtu ishte e qartë. Pra e gjithë vizita praktikisht dështoi. Të mos harrojmë incidentin me dronin dhe atë flamurin qesharak, pasojat e së cilit ishin të pranishme edhe gjatë vizitës”, thotë ai. Ndaj mendoj se kjo vizitë u bë në kohë të papërshtatshme.
Sipas tij, Shqipëria e Serbia e kanë lehtë të bien dakord.
“Duhet thjesht të ulemi bashkë dhe të themi: ‘Ju e njihni Kosovën, është e drejta juaj dhe askush nuk do të ndërhyjë se jeni shtet sovran, por të lutem, të paktën kur të jemi bashkë përpara kamerave në një eveniment publik le të përpiqemi të mos e provokojmë njëri-tjetrin’. Po i jap edhe një tjetër këshillë falas z. Rama që mund të kishte thënë thjesht: ‘Qëndrimi ynë për Kosovën është i ditur që ne besojmë se është një shtet i pavarur’. Pse duhet të shkosh përtej kësaj? Përse për herë të parë pas 68 vjetësh vjen në Beograd dhe i jep vetes të drejtën për ti dhënë leksione serbëve?”, pyet ai.
Stefanoviq ndihet keq se pak student në Beograd e mësojnë shqipen, pasi thotë se po bëhet një gjuhë dominuese në disa vende.
“Ka një ndjesi që shqiptarët në Kosovë kanë më shumë antagonizëm ndaj Serbisë se sa shqiptarët e Shqipërisë, sepse ata ndjejnë që kanë pësuar nga shteti serb, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë jo. Por, nga ana tjetër, kur shkon në Prishtinë ka shumë gjëra që na lidhin përtej politikës, literatura, muzika. E kuptoni, ata nuk shohin gjithnjë e më shumë drejt Tiranës, por nga Beogradi, sepse është diçka e natyrshme. Pra, lidhjet s’kanë pse të jenë vetëm etnike, por edhe ekonomike, tregtare dhe kulturore, çka është më e rëndësishmja, por më e neglizhuara në këtë pjesë të Evropës”, thotë ai, duke shtuar se politika serbe ushqen keqperceptim për dekada e shekuj.
“Shumë njerëz që prej familjeve më të vjetra të dinastisë serbe kishin perceptimin e keq të fiseve shqiptare në kufijtë jugorë që ishin ushtarë të mirë të Sulltanit. Por, shqiptarët ishin edhe rebelë ndaj otomanëve, por kjo pjesë e historisë është lënë mënjanë. Mbase jo në mënyrë të qëllimshme, sepse unë nuk besoj tek teoritë e konspiracionit. Shumë herë në Kosovë njerëzit më thoshin se Akademia serbe bashkë me Kishën shpiku planin djallëzor ndaj kombit shqiptar. Por, për mua këto janë gjepura. Mungesa e dijes dhe paragjykimet janë si motra binjake dhe ecin së bashku për breza me radhë”, thekson Stefanoviq.
Ai pranon se në Serbi më njerëzit këtu nuk shqetësohen për Kosovën, se nuk është më një temë diskutimi.
“Ne serbët duhet të harrojmë Kosovën, ndërsa Rama duhet të na e kujtojë Kosovën?”, thotë ai, duke shtuar se nuk e kishte të lehtë të negocionte me Edita Tahirin.
“Do të jem i sinqertë me ju: unë nuk e shoh si një shtet të pavarur, por mbase për herë të parë në historinë e Serbisë ka një njohje të plotë për ekzistencën e Kosovës dhe institucioneve të saj”, pranon Stefanoviq, për të cilin nuk ka rëndësi nëse e pranon Serbia ose jo Kosovën.
“Pjesa më e madhe e njerëzve në Serbi, veçanërisht Qeveria e pranojnë që Kosova ekziston, që shqiptarët atje kanë institucionet e tyre dhe që ato janë të pavarur nga institucionet tona; e pranojnë faktin që ne nuk e kontrollojmë Kosovën dhe që nuk kemi se çfarë të bëjmë si shtet brenda Kosovës; por, nuk duan ta njohin zyrtarisht. Pra, kjo është situata në Serbi. Ne po negociojmë më përfaqësues të zgjedhur në mënyrë demokratike nga Kosova dhe mendoj se nga këndvështrimi historik, ky është një hap i madh përpara sepse përpara ne nuk pranonim as faktin që Kosova ekzistonte.
Për ne, për vite me radhë lumi Ibër ishte ‘fundi i botës’, nuk kishte asgjë më përtej tij -e kam fjalën politikisht. Nuk ekzistonte Prishtina. Ishte qyteti i braktisur i separatistëve për të cilët ne thjesht nuk e pranonim faktin që ata ekzistojnë. Ndërsa tani e pranojmë. Ata njerëz kanë të drejta, votojnë, kanë një identitet dhe besojnë që janë të pavarur dhe ne respektojmë këndvështrimin e tyre, por ne nuk do ta njohim Kosovën si një shtet të pavarur në mënyrë zyrtare. Por, besoj se shteti serb do të bëjë gjithçka përveçse njohjes së pavarësisë, mbase të nënshkruajë marrëveshje të rëndësishme me Prishtinën apo edhe të lejojë që Kosova të bëhet pjesë e institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare”.
Meqë thotë se Serbia duhet të pyetet për serbët në Kosovë, ai pranon që edhe Shqipëria duhet të pyetet për shqiptarët në Luginën e Preshevës apo jo?
“Mendoj se është legjitime që Shqipëria të thotë qëndrimin e saj për shqiptarët dhe të drejtat e tyre në jug të Serbisë, dhe kjo nuk është aspak e ndaluar, madje mendoj se është pozitive. Por, çdo gjë është shpatë me dy tehe në Ballkan. Sepse kur shqiptarët në Preshevë thonë se duan të kenë të njëjtat të drejta me serbët në Kosovë, jemi ne që themi: ej po edhe ne duam të njëjta të drejta për serbët në Shqipëri, që tani as nuk njihen se ekzistojnë. Pra rrethi vicioz vazhdon të rrotullohet”, thotë Stefanoviq, sipas të cilit janë 30 mijë serbë që jetojnë në Shqipëri