Stuhitë e fuqishme dhe përmbytjet përfshijnë Spanjën


E diel, 13 Korrik 2025

Disa zona në Spanjë, përfshirë bregdetin e Katalonjës, Aragonin dhe Castellonin, janë përfshirë nga alarme për stuhi dhe reshje të forta, njofton Associated Press.

Një mesazh paralajmërues u dërgua në telefonat celularë të popullsisë për të paralajmëruar reshjet e rrëmbyeshme.

“Reshjet do të shoqërohen me stuhi, erëra të forta dhe vetëtima. Shmangni udhëtimet këtë pasdite të së shtunës dhe ndiqni të gjitha këshillat”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga agjencia meteorologjike e Katalonjës

Pamjet nga zjarrfikësit e Katalonjës dhe Qeveria e Castellonit në Valencia kanë treguar për rrugë të përmbytura dhe zona të tjera që janë goditur nga shirat e dendur.

Agjencia kombëtare e motit AEMET ka bërë të ditur se ekzistojnë gjasa të larta për përmbytje të menjëhershme në tetë provinca, përfshirë në Huesca, Teruel dhe Zaragoza, si dhe Barcelonë, Girona, Lleida, Tarragona e Castellón.

Alarmi është luhatur mes nivelit të kuq dhe atij portokalli, dhe pritej të çaktivizohej në mbrëmjen e së shtunës, teksa të gjitha shërbimet lokale dhe rajonale të trenave në Katalonjë u pezulluan për disa orë

Ndër të tjera, një njësi e emergjencave në kuadër të Ushtrisë spanjolle u dislokua në qytetin verilindor të Zaragozës, pas stuhive të forta që shkaktuan përmbytje në gjithë provincën.

Pamjet e publikuara nga Njësia e Emergjencave Ushtarake (UME) kanë shfaqur ekipet e ndërhyrjes duke larguar ujin e tepërt dhe duke vendosur barriera rrugore për të parandaluar përmbytje të mëtejshme.

Ekipet lokale të shpëtimit në Zaragoza nuk kanë raportuar për viktima.

Të fundit