E premte, 20 Qershor 2014
Pas skuadrës kampione në fuqi të botës, Spanjës, një tjetër skuadër e madhe siç është Anglia sipas të gjitha gjasave nuk do ta vazhdojë tutje rrugën pas fazës së grupeve në Botërorin “Brazil 2014”. Skuadra e Roy Hodgsonit pas humbjes nga Italia, të enjten ka pësuar humbje edhe nga Uruguai, me rezultat 2:1. Heroi i uruguaianëve ishte sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez, i cili shënoi të dy golat për skuadrën e tij në paraqitjen e parë në këtë Botëror. Ndërkohë, golin e vetëm për anglezët e realizoi Wayne Ronney, për të cilin ky ishte goli i parë në një Botëror.
Tash anglezët duhet të shpresojnë në fitoren e Italisë në duelet kundër Kostarikës dhe Uruguait me rezultate sa më të volitshme, derisa vet të mposhtin Kostarikën në xhiron e fundit, në mënyrë që t’i shpëtojnë eliminimit në bazë të goldallimit më të mirë. Gjithsesi diçka e tillë nuk është e pamundur të ndodhë, por mbetet të shihet se sa do të jenë italianët të motivuar për të fituar në ndeshjen e fundit kundër Uruguait në rast se nesër e mposhtim Kostarikën.
Uruguai u shfaq i rrezikshëm në minutat e parë përmes të rikthyerit nga lëndimi Luis Suarez i cili me një goditje nga këndi tentoi të befasonte portierin Joe Hart që nuk kishte mbuluar mirë këndin e portës.
Në minutën e 9 Wayne Rooney ishte i pafat nga gjuajtja e lirë të cilën e fitoi Daniel Sturridge, pasi një pasim të tij me dorë e preku mbrojtësi Diego Godin.
Porta e anglezëve u rrezikua edhe një herë në minutën e 14 kur Cristian Rodriguez shfrytëzoi mirë gabimin e lëshuar në mbrojtje nga Phil Jagielka për të realizuar një goditje e cila përfundoi mbi portën e portierit Hart.
Dominimi i uruguaianëve vazhdoi dhe kjo u vërejt në minutën e 26-të kur Suarez pasoi nga këndi për Cavanin, i cili gjuajti me të parën por atij i mungoi preciziteti pasi topi shkoi mbi portë.
Anglezëve katër minuta më vonë shtylla ia mohoi një gol kur pas harkimit të Gerrard sulmuesi 28-vjeçar nga afërsia qëlloi shtyllën, që ishte rasti më i mirë i “Tre Luanëve” në pjesën e parë.
“Tmerri” i Anglisë, Luis Suarez mbylli gjithçka në pjesën e parë kur shënoi me kokë pas harkimit të Cavanit nga ana e majtë në minutën e 39.
Një minutë më vonë Sturridge pati një rast pas asistimit të Rooneyt, por goditjen e sulmuesit 24-vjeçar e mbrojti portieri Fernando Muslera, që nuk lejoi të pësonte gol në pjesën e parë.
Në fillim të pjesës së dytë Suarez për pak sa nuk shënoi nga korneri. Sulmuesi përsëri testoi portierin Hart që me dy duart largoi topin nga vija e fundit e portës.
Cavani la të shtangur mbrojtësit anglez kur pranoi topin mirë në zonë, por jo gjithçka mori fund të mirë pasi ai goditi pranë portës.
Muslera ishte heroi i Uruguait kur në minutën e 52-të priti goditjen e Rooneyt nga gjashtë metra distancë. Anglezët shfrytëzuan mirë hapësirën e lënë nga mbrojtja por sulmuesit i mungoi fati në këtë aksion.
Anglia më në fund arritën golin e barazimit në minutën e 74-të kur Wayne Rooney shënoi pas asistimit të Glen Johnson nga ana e djathtë.
Pas shënimit të golit anglezët ndezën motorët dhe pas tre minutave edhe Sturridge rrezikoi me një goditje të cilën e priti Muslera.
Uruguai shënoi me tre prekje në minutën e 84-të. Aksionin e nisi Muslera për të pasuar te Cavani i cili me kokë drejtoi topin te Suarez që shënoi golin e dytë personal dhe të dytin në këtë takim, për të rrënuar shpresat e anglezëve që të nxjerrin rezultat pozitiv në këtë takim./rtk/
Etiketa: suarez