Super-njerëzit e Tibetit: kur evolucioni ndodh para syve tanë


E enjte, 19 Shkurt 2026
Super-njerëzit e Tibetit: kur evolucioni ndodh para syve tanë

Shumë prej nesh e mendojnë evolucionin si një proces të lashtë që i përket librave të historisë dhe fosileve të pluhurosura, por e vërteta është se speciet tona nuk kanë mbaruar ende ndryshimin.

Ne po vazhdojmë të përshtatemi me botën që na rrethon në kohë reale, dhe provat më magjepsëse të këtij ndryshimi biologjik janë të shkruara në gjakun dhe trupat e banorëve të Pllajës Tibetiane.

Për shumicën e njerëzve, ngjitja në lartësi të mëdha shoqërohet me sëmundjen e lartësisë. Kjo ndodh sepse presioni i ulët atmosferik do të thotë më pak oksigjen për çdo frymëmarrje, duke e çuar trupin në një gjendje të njohur si hipoksi.

Megjithatë, komunitetet tibetiane që jetojnë në mbi 3.500 metra lartësi prej më shumë se 10.000 vitesh, i kanë sfiduar ligjet e biologjisë konvencionale. Antropologia Cynthia Beall dhe ekipi i saj, kanë zbuluar kjo përshtatje nuk është thjesht çështje vullneti, por një proces i pastër evolucionar.

Duke studiuar suksesin riprodhues të 417 grave nepaleze, studiuesit gjetën se përzgjedhja natyrore po favorizon tipare specifike fizike. Gratë që kishin suksesin më të lartë në lindjen e foshnjave (mesatarisht 5.2 lindje) zotëronin një fiziologji unike: gjakun e tyre nuk e kishin as shumë të trashë (për të shmangur presionin në zemër), por transportonin oksigjen me një efikasitet mahnitës.

Zbulimi më interesant është se këto gra kanë barkushe të majta të zemrës më të gjera dhe një rrjedhje më të lartë të gjakut në mushkëri. Këto ndryshime lejojnë që trupi të shpërndajë oksigjenin në inde pa e rritur trashësinë e gjakut, gjë që normalisht do të rriste rrezikun për probleme kardiake.

Kjo përshtatje ndaj hipoksisë është një shembull i bukur i variacionit biologjik të species sonë. Të kuptuarit e këtyre proceseve na jep edhe informacione të vlefshme mbi mënyrën se si trupi ynë reagon ndaj stresit ekstrem mjedisor. /tesheshi.com/


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit