Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Tahiri: Hapësira ajrore është nën sovranitetin e Kosovës

Prizren Post | 13:44 - 03.12.2015

Prishtinë – Ministrja e dialogut në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka theksuar se hapësira ajrore është nën sovranitetin e shtetit të Kosovës, dhe Kosova sipas saj, është sovrane në çështjet e hapësirës ajrore të saj.

Ajo ka thënë për Telegrafin se në këtë periudhë çështjet e hapësirës ajrore janë në koordinim të plotë mes Kosovës dhe NATO-s, ndërsa sa i përket çështjeve që lidhen me stabilitetin rajonal të hapësirës ajrore, Tahiri ka theksuar se NATO-ja është kompetente dhe vendimmarrëse për programin e stabilizimit të hapësirës ajrore në Ballkan, ndërsa Kosova është pjesë e këtij procesi si edhe vendet tjera të rajonit.

Duke komentuar spekulimet se gjoja pas Hungarisë, kontrollin ajror mbi Kosovën mund ta marrë Serbia, Tahiri ka thënë se Serbia ka ende probleme me fqinjët, prandaj nuk e ka kredibilitetin e duhur për çështjet e stabilitetit rajonal të hapësirës ajrore.
“Serbia ende nuk është dëshmuar si faktor stabiliteti në rajon, prandaj nuk mund të jetë bartëse e ndonjë misioni aq të ndjeshëm për sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës ajrore të rajonit. Përderisa Serbia vazhdon me ndërhyrjet e saja destruktive ndaj vendeve fqinje, ndër më flagrantet në Kosovë, nuk është një vend i besueshëm për çështjet e sigurisë së lartë për rajonin, aq më tepër në këtë kohë të ambicieve të reja gjeopolitike dhe lidhjeve të ngushta të Serbisë me Rusinë”, ka thënë Tahiri.

Sipas saj, në vitin 2011, Serbia ka pasur pretendime të ngjashme por të pa suksesshme, duke shtuar se “pikërisht për këtë çështje kam zhvilluar një takim me autoritetet e NATO-s në Bruksel për të paraqitur argumentet kundër Serbisë si pretendonte për të marrë kontrollin e hapësirës rajonale, dhe siç dihet rezultati ishte që Hungarisë iu besua kjo detyrë”.
“Në atë kohë Shqipëria ishte shumë afër marrjes së kësaj detyre sepse i plotësonte standardet e kërkuara. Përsëri dëshiroj të theksoj se Shqipëria ka kapacitetet e duhura për të marrë kontrollin e hapësirës ajrore rajonale aq më tepër që është anëtare e NATO-s, ndërsa Serbia nuk është”, ka shtuar Tahiri.

Ndryshe, mediat kanë raportuar se Kontrolli i Trafikut Ajror i Serbisë dhe Malit të Zi po ndjek të gjithë hapat ligjorë për të rimarrë kontrollin e plotë të hapësirës ajrore mbi Kosovë.
Drejtori i Kontrollit të Trafikut Ajror të Serbisë dhe Malit të Zi, Radojica Rovçanin, ka deklaruar për media se sikur të mos ishte politika në pyetje, rimarrje e kontrollit të hapësirës ajrore të Kosovës do të ishte puna më e lehtë për institucionin që ai drejton.
Ai ka thënë më tutje se meqë po skadon kontrata e kompanisë hungareze, e cila kontrollon hapësirën ajrore të Kosovës, të interesuara për këtë çështje janë Shqipëria, Maqedonia, Italia dhe Austria.

“Ka spekulime nga mediat në Kosovë se kontrollin mund ta marrë Tirana, por ne jemi në nivel shumë më të lartë profesional në çdo kriter”, ka theksuar për mediat serbe, Rovçanin.


Etiketa:
Arivisti Company