E shtunë, 28 Tetor 2023
STAMBOLL – Mijëra njerëz në Stamboll të shtunën iu bashkuan “Takimit të Madh për Palestinën”, një tubim pro-palestinez në Stamboll.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, e ftoi kombin turk të marrë pjesë në tubim për t’i treguar botës “vëllazërinë midis turqve dhe palestinezëve”.
Njerëz të sferave të ndryshme, me flamuj turk dhe palestinez, ishin mbledhur në aeroportin Ataturk. Disa nga të pranishmit mbanin gjithashtu shirita me mbishkrimin: “Ne jemi të gjithë palestinezë”, “T’i japim fund gjenocidit, le të jetojnë fëmijët” dhe “Bëhu zëri i fëmijëve palestinezë”.
Në të gjithë vendin ishin vendosur ekrane LED, ndërsa në zonën e tubimit po zbatoheshin masa të forta sigurie.
Artistë të njohur ndërkombëtarisht si Yusuf Islam, Maher Zain dhe Omer Karaoglu u ngjiten në skenë gjatë tubimit.
Përveç Erdoganit, marën pjesë edhe liderë të partive të tjera politike, zyrtarë shtetërorë nga vende të ndryshme, si dhe përfaqësues të sektorëve të medias, artit, sportit, kulturës dhe biznesit.
Turqia do ta prezantojë Izraelin në botë si një shtet kriminal lufte, tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.
Erdogan tha: “Izrael, ne gjithashtu do të shpallim ty si shtet kriminal lufte në botë, ne po përgatitemi për të dhe do ta prezantojmë Izraelin në botë si shtet kriminal lufte”.
Erdogan theksoi se bota perëndimore mobilizoi politikanët dhe mediat e saj për të legjitimuar masakrën e njerëzve të pafajshëm në Gaza, duke shtuar: “Izraeli po kryen krime lufte”.
Ai tha se Izraeli është një “pushtues”, duke shtuar: “Perëndimi ju ka borxh, por Turqia nuk ju ka borxh”.
Ata që derdhin lot krokodili për civilët e vrarë në luftën Ukrainë-Rusi, po shikojnë në heshtje vdekjen e mijëra fëmijëve të pafajshëm në Gaza, tha presidenti turk.
“Unë po pyes Perëndimin, a dëshiron të krijosh një atmosferë tjetër të Luftës së Kryqtarëve?” pyeti ai, duke shtuar: “Fajtori kryesor pas masakrës së shpalosur në Gaza është Perëndimi”.
“Sigurisht, çdo vend ka të drejtë të mbrohet, por ku është drejtësia? Nuk ka mbrojtje, por një masakër e hapur dhe e egër që po ndodh në Gaza.”
Të gjithë e dinë se Izraeli është një peng në rajon që do të sakrifikohet kur të vijë koha, shtoi ai.
“Unë thashë në Davos, ju dini të vrisni. Ata dinë mirë të vrasin.”
Erdogan tha se përshëndetë “vendosmërinë e popullit të Gazës” për të mos braktisur shtëpitë dhe qytetin e tyre përballë bombardimeve të shtypësit.
Izraeli ka bombarduar rëndë Gazën që nga 7 tetori kur grupi palestinez Hamas kreu një sulm ndërkufitar, duke vrarë 1400 njerëz dhe duke marrë shumë pengje.
Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës tha se sulmet izraelite deri tani kanë vrarë të paktën 7,703 njerëz, kryesisht civilë dhe shumë prej tyre fëmijë.
Duke kujtuar votat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në favor të një rezolute që bën thirrje për një ‘armëpushim humanitar’ në Gaza, Erdogan tha: “Izrael, je i dënuar të lihesh vetëm”.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë të premten që bën thirrje për një “armëpushim humanitar të qëndrueshëm dhe të menjëhershëm” në Gaza.
Rezoluta, e cila u prezantua nga afro 50 vende, duke përfshirë Turqinë, Palestinën, Egjiptin, Jordaninë, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), u miratua me 120 vota pro, 14 kundër dhe 45 vende abstenuan.
Miratuar në takimin e 10-të të Sesionit Special të Emergjencës mbi situatën në Territorin e Pushtuar Palestinez, projekt-rezoluta shpreh “shqetësim të madh” për “përshkallëzimin e fundit të dhunës”.
Turqia nuk i fal sulmet që synojnë civilët në Izrael, tha Erdogan, duke shtuar: “Ne jemi të pikëlluar për çdo civil në çfarëdo mënyre, por Izraelit nuk i intereson.”
Etiketa: Palestina, Recep Erdoğan, Stamboll, Turqi